Dhomat e Specializuara të Kosovës(DhSK) në Hagë kanë bërë publike dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë dosje, Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit formuluan, zbatuan dhe përforcuan qëllimin e tyre të përbashkët kriminal dhe veprimet e fjalët e tyre tregojnë qëllimin e tyre për të marrë pjesë në kryerjen e krimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përveç kësaj, thuhet se katër të akuzuarit nuk ndërmorën asnjë masë parandaluese apo ndëshkuese ndaj anëtarëve të tjerë që pretendohet se kanë qenë pjesë e të ashtuquajturës Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Përkundrazi, thuhet se këta anëtarë u promovuan dhe iu dhanë përgjegjësi shtesë.

Çfarë thotë Prokuroria për Hashim Thaçin dhe përgjegjësinë e tij?

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi i njohur me nofkën “Gjarpri”, ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm së bashku me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ai gjithashtu personifikohet edhe si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

Prokuroria pretendon se Thaçi mbante përgjegjësi në Drejtorinë Politike dhe të Informimit në Shtabin e Përgjithshme, ku luante rol në operacionet e UÇK-së dhe në trajtimin e personave që perceptoheshin si kundërshtarë. Përveç kësaj, thuhet se Thaçi më vonë u bë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Thaçi i paraqiste personat e perceptuar si kundërshtarë, kërcënim për ta dhe i paralajmëronte se do të përballeshin me masa ndëshkuese.

Në mesin e shumë arsyeve për vizita nëpër komanda, thuhet se Thaçi shkoi edhe për të harmonizuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve dhe për të siguruar zbatimin në terren të planit të përbashkët kriminal.

Ndërsa për funksionin e tij në Qeverinë e Përkohshme, Prokuroria pretendon se ai integroi funksione politike, të inteligjencës dhe policisë nën autoritetin e tij përmes të cilave vazhdoi realizimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

“Gjatë gjithë periudhës së Aktakuzës, veprimet e Hashim THAÇI-t treguan një synim të vazhdueshëm për të realizuar qëllime politike duke urdhëruar, inkurajuar dhe marrë pjesë në mjete qartësisht kriminale për t’i arritur ato”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, e cila shton se Thaçi urdhëroi anëtarët e UÇK-së që të ndihmonin në kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve.

Përveç kësaj, dosja e Prokurorisë thotë se Thaçi urdhëroi anëtarët e UÇK-së që ta ndihmonin në kryerjen e krimeve të drejtpërdrejta.

“THAÇI urdhëroi anëtarët e UÇK-së që ta ndihmonin në kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve”, thuhet në dosje, duke pretenduar se Thaçi të gjitha këto i ka bërë me ndihmën e vartësve të tij.

Për veprime konkrete, Prokuroria e implikon Thaçin në largimin e dy të ndaluarve nga një lokacion të cilët nuk u panë më gjallë.

Sipas Prokurorisë, Thaçi ka bërë udhëheqjen e një grupi të UÇK-së që kapi 13 civilë për shkak të bindjeve të tyre politike dhe marrjen e tyre në pyetje personalisht, pasi vartësit e tij në UÇK i kishin rrahur dhe kërcënuar me vdekje.

Po ashtu, përmendet se Thaçi u përfshi në marrjen në pyetje të dy gazetarëve serbë të ndaluar dhe të keqtrajtuar në një lokacion të tretë.

Prokuroria pretendon se Thaçi i inkurajoi anëtarët e UÇK-së të “luftonin” kundër kujtdo që nuk e njihte Shtabin e Përgjithshëm ose nuk respektonte urdhrat e vet Thaçit, dhe se vartësit e tij në UÇK e morën, e kuptuan dhe e zbatuan mesazhin e tij.

Sipas Prokurorisë, Thaçi personalisht i kërcënoi kundërshtarët duke përfshirë edhe kërcënime me vdekje.

“THAÇI përdori komunikimet e Shtabit të Përgjithshëm për të veçuar objektiva që do të përballeshin me pasoja sipas kornizës së politikës dhe ishte autor drejtpërdrejt i të paktën një komunikate me synimin për të shkatërruar plotësisht një kundërshtar të caktuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Për çfarë ishte në dijeni Thaçi dhe çka bëri ai, sipas Prokurorisë?

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se Thaçi e dinte se anëtarët e UÇK-së po kryenin krime kundër kundërshtarëve.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se veprimtaria kriminale urdhërohej ose miratohej drejtpërdrejt nga Thaçi ose përmes Shtabit të Përgjithshëm.

Rrjedhimisht, thuhet se Thaçi kishte autoritetin për të parandaluar krime të tilla, siç dëshmohet, ndër të tjera, nga autoriteti i tij për të liruar të ndaluarit. Por, pavarësisht kësaj, Prokuroria thotë se Thaçi nuk bëri asnjë përpjekje për parandalim, hetim ose ndëshkim të personave që kryen këto krime. Thuhet se Shtabi i Përgjithshëm promovoi udhëheqës të UÇK-së të përfshirë ne krime ose edhe iu caktoi atyre detyra për stërvitje dhe mobilizimin e rekrutëve të rinj.

Ndërsa në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Prokuroria thotë se Thaçi përdori pushtetin e tij si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit e tij dhe anëtarët tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale në pozita të larta.

Ndërsa komunikatat, Prokuroria thotë se u përdorën nga Thaçi për të promovuar qëllimin e përbashkët tek anëtarët e tjerë të UÇK-së.

“Për shembull, në qershor 1998, anëtari i njohur i LDK-së, Abdyl RAMA, u rrëmbye nga ushtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua te THAÇI, ku iu bë presion që të jepte një deklaratë të regjistruar për largimin nga LDK-ja dhe bashkimin me UÇK-në. Refuzimi i tij për ta bërë një deklaratë të tillë çoi në keqtrajtim nga THAÇI, përfshirë kërcënime kundër tij për mospranimin e kërkesave të THAÇI-t”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se Thaçi bëri personalisht deklarata publike të projektuara për të nxitur frikë, mosbesim dhe urrejtje ndaj kundërshtarëve. Kurse, thuhet se disa media publikuan një komunikatë të hartuar nga Thaçi që përmbante të pavërteta të rrezikshme të dizajnuara për të “eliminuar” një kundërshtar.

“THAÇI gjithashtu mbajti të fshehura informacione që kishte në dispozicion lidhur me viktimat, në përpjekje për të penguar përpjekjet hetimore të familjeve të tyre. [REDAKTUAR]. Kur përballej me pyetje lidhur me rrëmbimet dhe ndalimet nga anëtarët e UÇK-së, THAÇI në mënyrë refleksive e përshkruante UÇK-në si një ushtri të rregullt të përkushtuar ndaj ligjit të luftës. Në një takim me përfaqësues të Human Rights Watch dhe së bashku me anëtarin e emërtuar të NPK-së, Fatmir LIMAJ, THAÇI gjithashtu pretendoi në mënyrë të rreme se dy gazetarët serbë të ndaluar në Shalë kishin marrë një gjykim”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se Thaçi përdori autoritetin e tij brenda procesit të promovimit të Shtabit të Përgjithshëm për të shpërblyer zbatuesit kryesorë të qëllimit të përbashkët dhe për të maksimizuar kontributet e tyre kriminale.

Prokuroria thotë se pas rolit të tij udhëheqës në vrasjen e 12 të ndaluarve në Malishevë, Haxhi Shala u ngarkua me komandën e Brigadës 121. Fatmir Limaj, i cili në atë kohë ishte eprori i Shalës, dhe Musë Jashari i cili sipas Prokurorisë, kishte përfshirje të drejtpërdrejtë në disa krime, u ngritën në pozita në Shtabin e Përgjithshëm pasi kishin mbikëqyrur një sërë ndalimesh, vrasjesh dhe abuzimesh.

Në dosjen e saj, Prokuroria thotë se në Qeverinë e Përkohshme, Thaçi njohu besnikërinë e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që kishin kontribuar në qëllimin e përbashkët kriminal. Për rrjedhojë, thuhet se Jakup Krasniqin e emëroi zëdhënës, Kadri Veselin si drejtues të Shërbimit Informativ (SHIK), si dhe Rexhep Selimin si ministër të Rendit Publik.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se edhe Sylejman Selimi i cili bën pjesë në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale u emërua nga Thaçi për të udhëhequr Gardën Kombëtare.

Përveç kësaj, Prokuroria përmend edhe një deklaratë të Musë Jasharit i cili pretendohet se ka marrë pjesë në disa krime, për Thaçin.

“Musë JASHARI, i cili kishte si njohuri për krimet ashtu edhe kishte marrë pjesë në to, vuri në dukje në mënyrë specifike se “ne mund të flisnim lirshëm me [THAÇI-n]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, thuhet se Thaçi vizitoi dhe mbajti lidhje me Lahi Brahimajn i cili ishte komandant në Jabllanicë, vend ky i cili kishte qendër ndalimi dhe po keqtrajtoheshin haptazi të ndaluarit.

“Për të siguruar, ndër të tjera, avancimin e qëllimit të përbashkët, THAÇI vizitoi lokacione ku po kryheshin krime nga anëtarët e UÇK-së. Ai u takua me zyrtarë të lartë të UÇK-së në Likoc dhe në Zonën më të gjerë të Drenicës, Jabllanicë, Drenoc, Malishevë, Budakovë, Kleçkë, Bajgorë, Zonat e Shalës dhe Llapit, si dhe në Kukës në Shqipëri, duke demonstruar kontrollin e tij të drejtpërdrejtë mbi ata që do të zbatonin politikën në terren”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Çfarë thotë Prokuroria për Kadri Veselin, në duart e të cilit pretendohet se ishte inteligjenca?

Përveç si themelues i UÇK-së, Shtabit të Përgjithshëm dhe pjesëmarrës në sulmet e hershme të UÇK-së, Kadri Veseli identifikohet nga ZPS edhe si drejtues i Drejtorisë së Inteligjencës e njohur edhe si G2 e po ashtu edhe si ZKZ.

Për Veselin, Prokuroria thotë se nofka e tij ishte “Luli” ose “7”, i cili drejtonte një aparat përgjegjës për identifikimin e bashkëpunëtorëve të dyshuar, në mbledhjen dhe analizimin e informacioneve për ata. Thuhet se ai në Drejtorinë Politike kishte edhe përgjegjësi diplomatike si dhe shërbente si ndërlidhës kryesor në negociata dhe në kontakte me ndërkombëtarët.

“Veprime të tilla demonstronin se vendimet e Shtabit të Përgjithshëm—pasi merreshin—ishin detyruese në të gjitha zonat dhe se VESELI mund të fliste dhe të vepronte në emër të Shtabit të Përgjithshëm”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se roli diplomatik i Veselit dhe koha e kaluar jashtë shtetit nuk e shkëpuste atë nga e ashtuquajtura Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, të cilës iu bashkua me vullnetin e tij.

“Roli i VESELI-t si drejtues i Inteligjencës përfshinte përcjelljen e informacionit nga Zonat lidhur me ndalimin e bashkëpunëtorëve të dyshuar te persona të tjerë në nivel kombëtar të UÇK-së. Siç vuri në dukje W04752: “Detyra e tij ishte të pranonte raporte të tilla [nga komandantët e zonave], pastaj të informonte sektorin juridik”. VESELI u jepte informacion inteligjence drejtpërdrejt anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, duke dëshmuar më tej funksionimin kolektiv të tij”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Duke thënë se kishte hierarki në UÇK, Prokuroria pretendon se oficerët e inteligjencës ishin përfshirë në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas Prokurorisë, njëri prej tyre ishte edhe Sabit Geci i cili thuhet se keqtrajtoi të ndaluar në disa vende që tashmë janë të përfshira në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, Geci vazhdoi funksionimin në UÇK dhe kreu krime edhe pse u bë gjerësisht i njohur se ai po keqtrajtonte personat e perceptuar si kundërshtarë.

Prokuroria thotë se në mënyrë të ngjashme ishte edhe Latif Gashi, oficer i inteligjencës në Zonën Operative të Llapit i cili luajti rol qendror në kryerjen e krimeve.

Ndërsa, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, sipas Prokurorisë, Veseli u bë shef i Shërbimit Informativ (SHIK) dhe i raportonte kryeministrit.

“Si shef i SHIK-ut, ai drejtoi të njëjtin operacion me autoritet më të madh forma dhe mandatet e përgjithshme të G-2 dhe SHIK-ut ishin të ngjashme. Synimi i deklaruar i VESELI-t ishte të zbulonte “manipulimin” serb dhe të siguronte informacione mbi pozicionet e armikut. Marrja në pyetje e bashkëpunëtorëve të dyshuar ishte thelbësore për arritjen e këtij objektivi – një objektiv që u zbatua gjatë gjithë luftës, përfshirë me përfshirjen e VESELI-t”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në cilat krime pretendohet se u përfshi personalisht Veseli?

Sipas Prokurorisë, Kadri Veseli emëroi Xhemë Gashin si drejtues të një njësie në Drenoc e cila sipas fjalëve të mbrojtjes së Selimit, drejtonte një operacion torturë.

Prokuroria pretendon se Veseli ishte personalisht i përfshirë në largimin e dy të ndaluarve nga Drenoci të cilët nuk u panë më kurrë.

Përveç kësaj, thuhet se Veseli personalisht transferoi një të ndaluar i cili ishte keqtrajtuar në Kleçkë. Thuhet se ai ishte i pranishëm shpesh në qendrën e ndalimit aty dhe kishte autoritetin që të urdhëronte lirimin e të ndaluarve që po mbaheshin atje.

“Vetë VESELI deklaroi nën betim se ishte emëruar si drejtues i SHIK-ut në fund të marsit 1999 dhe para kësaj ishte drejtues i G-2, se një nga segmentet e veprimtarisë së tij kishte të bënte me bashkëpunëtorët serbë, se e njihte shumë mirë W04743 dhe se W04743 ishte anëtar i SHIK-ut dhe “një nga djemtë më të mirë që dolën nga lufta”. W04743 ishte një anëtar i lartë i policisë ushtarake dhe inteligjencës së UÇK-së i përfshirë në ndalimin dhe keqtrajtimin e Kundërshtarëve në Kleçkë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria pretendon se kjo sjellje e Veselit s’ishte rastësore dhe se këta shembuj të pjesëmarrjes së tij në krime janë të rëndësishme për arsye se zbulojnë vetëdijen dhe pranimin me vullnet të lirë të ishte pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.

Rrjedhimisht, Prokuroria pretendon se Veseli dështoi që të parandalonte, hetonte ose të ndëshkonte ndonjë prej krimeve të kryera pavarësisht rolit që ka pasur në Shtabin e Përgjithshëm.

Përveç kësaj, thuhet se Veseli nuk ndëshkoi as oficerët e zonave ku po kryheshin krime, si Latif Gashin, Sabit Gcin dhe Xhavit Elshanin.

Tutje, Prokuroria thotë se Veseli nuk veproi mbi informacionet që mori nga viktimat për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre që ishin zhdukur në Drenoc.

Prokuroria pretendon se prania e Veselit dokumentohet në afërsi të qendrave të ndalimit të UÇK-së në kohën kur kryheshin krimet e përfshira në aktakuzë, megjithatë ai nuk përdori pozitën e tij të autoritetit për të parandaluar, hetuar ose ndëshkuar kryerjen e krimeve.

“VESELI ishte personalisht i pranishëm ose është parë në afërsi relative të vendeve të pretenduara të ndalimit të UÇK-së në ZO të Drenicës (Likoc) ZO të Dukagjinit (Jabllanicë); dhe ZO të Pashtrikut (Llapushnik, Drenoc, Rahovec, Malishevë, Kleçkë, dhe Budakovë)”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Çfarë pretendohet se ka bërë “Dhjetëshi” i UÇK-së, Rexhep Selimi?

I njohur si “Dhjetëshi” ose “Agroni” i UÇK-së, për Rexhep Selimin, Prokuroria thotë se ishte njëri prej anëtarëve të hershëm të Shtabit të përgjithshëm dhe koordinoi operacione luftarake kundër kundërshtarëve, duke ndihmuar, ndër të tjera, në strukturimin dhe inspektimin e njësive që më vonë do të përfshiheshin drejtpërdrejt në krimet e përfshira në aktakuzë.

Prokuroria thotë se si Inspektor i Përgjithshëm, Selimi ishte mbi drejtoritë në nivelin e Komandantit të Përgjithshëm dhe mbikëqyrte zbatimin e kuadrit rregullator të Shtabit të Përgjithshëm.

“Dokumentet bashkëkohore, përfshirë shënimet e shkruara me dorë të hartuara nga SELIMI dhe të sekuestruara prej tij, që përmbanin lista individësh të emërtuar si bashkëpunëtorë të dyshuar, dëshmojnë se monitorimi dhe zbatimi i qëllimit të përbashkët, përfshirë “luftën speciale”, ishte një pjesë e rëndësishme e rolit të SELIMI-t si Inspektor i Përgjithshëm”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, Selimi personalisht dhe së bashku me të bashkë-akuzuarit monitoronte zbatimin dhe përforcimin e politikës kundër kundërshtarëve, duke u takuar me anëtarë të emërtuar të NPK-së, si Fatmir Limaj, Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa, gjatë gjithë periudhës së aktakuzës, si dhe duke marrë raporte prej tyre dhe njësive të tjera vartëse, duke përcjellë rëndësinë e qëllimit të përbashkët.

Me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, sipas Prokurorisë, Selimi u bë ministër i Rendit Publik, organ ky i cili gjatë verës së 1999-ës në kundërshtim me marrëveshjen e demilitarizimit për “të mos sulmuar, ndaluar apo frikësuar asnjë civil në Kosovë dhe as […] të sulmojë, konfiskojë apo cenojë pronën e civilëve në Kosovë” vazhdoi të shënjestrojë kundërshtarët në funksion të qëllimit të përbashkët kriminal.

Prokuroria pretendon se Selimi ishte prezent në vendndalime

Gjatë gjithë periudhës së aktakuzës, Prokuroria thotë se Selimi vazhdimisht ka qenë i pranishëm në disa vende të rëndësishme në të cilat janë kryer krime si Qirezi, Kleçka, Likoci dhe Drenoci.

Sipas Prokurorisë, Selimi mori pjesë në marrje në pyetje, pyeti për arsye se pse njerëzit mbaheshin të ndaluar dhe ka konfirmuar se ishte në dijeni se ndalimet po ndodhnin. Thuhet se ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë si dhe mori pjesë në keqtrajtimin e të ndaluarve.

Pavarësisht se kishte fuqinë për të liruar të ndaluarit, Prokuroria pretendon se Selimi nuk ndërmori asnjë hap për të parandaluar, hetuar ose ndëshkuar krimet e përfshira në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, Selimi dhe bashkë të akuzuarit e tjerë kishin fuqinë t’i referonin krimet e ushtarëve të UÇK-së te UNMIK-u dhe KFOR-i, por në mënyrë aktive kundërshtuan informimin e ndërkombëtarëve për ndalimet.

Shumë prej anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, sipas Prokurorisë u bënë pjesë e Policisë së Ministrisë së Rendit Publik.

Këta persona, sipas Prokurorisë, ishin Nexhmi Krasniqi, Selim Krasniqi, Milaim Latifi dhe Sahit Jashari, të cilët thuhet se dihej se ishin të përfshirë në ndalimin dhe keqtrajtimin e kundërshtarëve. Sipas Prokurorisë, kjo tregon se një sjellje e tillë shpërblehej në vend që të ndëshkohej.

Në anën tjetër, Prokuroria pretendon se Selimi ishte pjesë e një grupi të kufizuar që kontrollonte emërimet, përfshirë ato të komandantëve të zonave, duke siguruar që personat e dëshmuar si zbatues të besueshëm të qëllimit të përbashkët të merrnin emërime dhe promovime.

Pjesëmarrja e tij, sipas Prokurorisë, siguroi që komandat operative të drejtoheshin nga kuadro të rreshtuara me të dhe me të akuzuarit, siç ishte zëvendësimi i Komandantit Drini si Komandant i Zonës së Pashtrikut dhe emërimi i anëtarit të emërtuar të NPK-së, Sylejman Selimi, si Komandant i Zonës së Drenicës.

Në zonë të tjera, sipas Prokurorisë, Rexhep Selimi udhëtoi gjerësisht për të inspektuar dhe ndihmuar njësitë, për të caktuar detyra, për të trajtuar çështje logjistike, për të vlerësuar përputhshmërinë me urdhrat, dhe për të transmetuar objektivat strategjikë të Shtabit të Përgjithshëm te komandat në terren, duke siguruar kështu që zbatimi i politikës së Shtabit të Përgjithshëm ndaj kundërshtarëve të ishte efektiv.

“Duke udhëtuar në misione të Shtabit të Përgjithshëm – përfshirë vizitat e tij në Shalë dhe Llap në vitin 1998 – SELIMI përcolli udhëzime mbi identifikimin dhe trajtimin e “luftës speciale”, duke lidhur shprehimisht kundërshtarët politikë me këtë kategori dhe duke udhëzuar strukturat lokale në përputhje me këtë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë për Rexhep Selimin.

ZPS: Krasniqi ishte kujdestar i mesazhit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Dosja përfundimtare e Prokurorisë, Jakup Krasniqin e personifikon si themelues të UÇK-së, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i Drejtorisë Politike dhe më vonë zëvendëskomandant.

Sipas Prokurorisë, ai ishte pjesë e një grupi vendimmarrësish me autoritet për të formuluar dhe për të mbikëqyrur zbatimin e planeve dhe politikave të UÇK-së.

“KRASNIQI ishte prandaj thelbësor si për zhvillimin e strategjisë së brendshme të UÇK-së, ashtu edhe për mënyrën se si ajo u komunikua te vartësit, publiku dhe vëzhguesit ndërkombëtarë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Krasniqi përshkruhet nga Prokuroria si personi që përgatiti rregulloren e përkohshme në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Sipas tyre, kjo rregullore parashikonte që Policia Ushtarake të ndihmonte dhe bashkëpunonte me Drejtorinë e Shërbimit të Inteligjencës.

Kjo rregullore thuhet se specifikonte se Policia Ushtarake do të duhej që të ishte e pamëshirshme me armiqtë dhe me të gjithë ata që përpiqen të pengojnë ose sabotojnë luftën.

“Kjo arkitekturë rregullative ndikoi drejtpërdrejt mënyrën se si politika ndaj kundërshtarëve u zbatua në terren nga anëtarët e Policisë Ushtarake dhe aparatit të inteligjencës që vëzhgonin, arrestonin, ndalonin dhe keqtrajtonin kundërshtarët e perceptuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përmes shpërndarjes së këtyre rregullave dhe komunikimit të rregullt me vartësit e tij, Prokuroria thotë se Krasniqi nguliti respektin për Shtabin e Përgjithshëm si organi më i lartë komandues i UÇK-së tek strukturat më të ulëta. Aty thuhet se ai jepte urdhra dhe merrte raporte nga zonat dhe i thërriste për takime.

Prokuroria e personifikon Krasniqin si hartues dhe redaktor i komunikatave dhe deklaratave të lëshuara në emër të UÇK-së që prej kohës kur ai u paraqit publikisht si zëdhënës i UÇK-së.

“KRASNIQI ishte kujdestar i mesazhit të UÇK-së, të cilin e përdorte për të drejtuar vëmendjen dhe veprimet kundër kundërshtarëve, në përputhje me politikën e Shtabit të Përgjithshëm. KRASNIQI jo vetëm që publikoi këto politika përmes fjalimeve, intervistave dhe komunikatave, por gjithashtu siguroi drejtpërdrejt zbatimin e tyre. Për shembull, KRASNIQI ishte në dijeni të ndalimit dhe lirimit të W03880 dhe W04828 në Shalë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se si zëvendëskomandant, Krasniqi nënshkroi urdhër që i drejtohej Policisë Ushtarake që të arrestojë të gjithë ata qytetarë që tregojnë besnikëri ndaj okupatorit dhe që janë të uniformuar në policinë serbe.

Për Krasniqin, Prokuroria pretendon se ishte drejtpërdrejt i përfshirë në arrestimin dhe ndalimin e personave të konsideruar “të dyshimtë”. Kështu, Prokuroria përmend rastin e Blerim Kuqit i cili thuhet se Krasniqi e urdhëroi atë të paraqitej në Shtab e i cili më pas u arrestua dhe u ndalua në praninë e tij.

Përveç kësaj, thuhet se Krasniqi ishte i informuar për incidente të shumta të ndalimeve dhe vrasjeve, por nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar, hetuar apo ndëshkuar këto krime.

Tutje, thuhet se Krasniqi kishte autoritet mbi ndalimet e UÇK-së dhe këtë Prokuroria e argumenton me pretendimin se ka pasur rol negociues për lirimin e 8 ushtarëve serbë të kapur më 1999-ën.

Ndërsa, sa i përket politikës së shënjëstrimit të personave që perceptoheshin si kundërshtarë, Prokuroria pretendon se Krasniqi së bashku me anëtarë të tjerë e përshtati komunikimin publik për ta fshehur këtë politik.

Thuhet se ai mbajti procesverbalet dhe dokumentet që tregonin se emërimet kërkonin miratim të Shtabit të Përgjithshëm dhe vepronte si urë lidhëse midis Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve në terren, duke transmetuar urdhra dhe raporte.

ZPS: Të akuzuarit shprehën dhe manifestuan në mënyrë të nënkuptuar dhe të drejtpërdrejtë qëllimin e tyre

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit formuluan, zbatuan dhe përforcuan qëllimin e tyre të përbashkët dhe veprimet e fjalët e tyre tregojnë qëllimin e tyre për të marrë pjesë në kryerjen e krimeve.

Ky qëllim, sipas Prokurorisë, manifestohet përmes deklaratave publike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, rregullave, strukturave dhe urdhrave që u përgatitën, u lëshuan ose u mbikëqyrën nga të akuzuarit, si dhe fjalëve dhe veprimeve të drejtpërdrejta të të akuzuarve, përfshirë pjesëmarrjen e tyre në krimet e akuzuara.

Një rast që përmend Prokuroria për Thaçin, është për kërcënimin që pretendohet se ai i ka bërë delegacionit parlamentar të shqiptarëve në Qirez dhe Baicë duke e ditur që disa prej tyre ishin rrahur.

Në një rast tjetër, thuhet se Thaçi i tha një aktivisti të LDK-së se ai dhe të tjerët do të arrestonin këdo që mbështeste Ibrahim Rugovën para se të luftonin kundër Serbisë.

Tutje, thuhet se aparati i inteligjencës dhe personeli i Veselit luajtën rol qendror në identifikimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e kundërshtarëve.

Thuhet se vetë Veseli ishte personalisht i përfshirë në largimin e dy të ndaluarve, njëri prej të cilëve ishte rrahur rëndë dhe asnjëri prej të cilëve nuk u pa më i gjallë, nga një vend ndalimi në vitin 1998.

Ndërsa, për Selimin, Prokuroria shkon edhe më larg, duke përmendur daljen e parë publike të UÇK-së me 1997-ën.

“SELIMI tregoi qëllimin e tij gjatë paraqitjes së parë publike të UÇK-së në nëntor 1997, kur kërcënoi se UÇK-ja do t’u “jepte goditje” “bashkëpunëtorëve shqipfolës, bashkëpunëtorëve” dhe dënoi ata që “përpiqen të përbuzin luftën tonë të shenjtë me qëndrimet e tyre pacifiste”. Në prill 1999, SELIMI goditi [REDAKTUAR] me tuba plastikë ndërsa [REDAKTUAR] ishte i ndaluar në Kleçkë, duke injoruar lutjet e anëtarëve të tjerë të UÇK-së për të ndaluar. KRASNIQI, i cili sipas vetë deklarimeve të tij përfaqësonte dhe publikonte politikën e Shtabit të Përgjithshëm, pohoi publikisht se UÇK-ja do të vriste bashkëpunëtorët. Gjatë një bisede të janarit 1999 [REDAKTUAR], KRASNIQI deklaroi se “[REDAKTUAR]”, dhe se “[REDAKTUAR]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ndryshe, Prokuroria pretendon se provat që u përmenden më sipër vërtetojnë se të akuzuarit kishin qëllimin e përbashkët kriminal dhe se kishin dijeni se krimet po kryheshin edhe nga anëtarë të UÇK-së. Përveç kësaj, pretendohet se një njohuri e tillë është pranuar edhe nga disa prej të akuzuarve.

Si shembull, Prokuroria përmend një intervistë të korrikut 1998, në të cilën pretendohet se Krasniqi pranoi se “bashkëpunëtorët” po rrëmbeheshin dhe ekzekutoheshin, dhe përmendi lirimin e fundit të dy serbëve të ndaluar në Llapushnik.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se Thaçi ka pranuar se në nëntor 1998 ishte në dijeni të ndalimeve nga anëtarët e UÇK-së, përfshirë atë të dy gazetarëve serbë.

Po ashtu, thuhet se Thaçi dhe Selimi kanë pranuar të dy se ishin në dijeni për rastin e Fadil Syleviqit, i cili ishte ndaluar në Bajgorë.

Ndërkohë për Selimin, Prokuroria pretendon se ishte në dijeni për pretendimet për zhdukjen e personave dhe se ka pranuar se gjatë konfliktit e dinte se civilët po ndaloheshin nga ushtarët e UÇK-së dhe nuk bëri asgjë në lidhje më këtë.

Prokuroria pretendon se Bisilim Zyrapi rreth janarit të 1999-ës e kishte telefonuar Krasniqin për ta informuar lidhur me ndalimin e pesë civilëve serbë. Ndërkohë, Prokuroria pretendon se Krasniqi kishte autoritetin për të urdhëruar lirimin e tyre pasi që ishte zëvëndëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm në atëkohë.

Në anën tjetër, thuhet se Selimi ishte i pranishëm në Likoc gjatë ndalimit dhe keqtrajtimit të një personi atje emri i të cilit ishte i redaktuar.

“Midis majit dhe korrikut 1998, të paktën 38 persona u ndaluan nën roje të armatosur në Drenoc, Rahovec, dhe u rrahën ashpër. THAÇI, VESELI dhe SELIMI vizituan Drenocin gjatë kësaj periudhe”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në korrik të 1998-ës, Prokuroria pretendon se pas ekzekutimit të 12 burrave në Malishevë, Selimi dhe Veseli morën pjesë në një takim pranë stacionit të policisë ku po mbaheshin të ndaluar.

Ndërsa për Jabllanicën, Prokuroria pretendon se ky vend ku po mbaheshin të ndaluar u vizitua nga katër të akuzuarit. Kurse, tre të akuzuarit përveç Veselit thuhet se e vizituan edhe Bajgorën kur po mbaheshin dhe keqtrajtoheshin të ndaluar.

Në anën tjetër, Thaçi dhe Krasniqi thuhet se e vizituan Kukësin në kohën kur u kryen ndalime dhe keqtrajtime.

“Më tej, media, përfshirë media të aksesueshme në Kosovë, raportonte në mënyrë të vazhdueshme për krimet e UÇK-së, përfshirë ndalimet dhe vrasjet, shpesh me detaje si vendi dhe emrat e viktimave. Gjatë konfliktit, media lokale raportonte edhe deklarata të anëtarëve të lartë të UÇK-së që pranonin masa ndëshkuese ndaj “tradhtarëve”. Anëtarët e UÇK-së, përfshirë të akuzuarit, e ndiqnin median gjatë konfliktit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Veç kësaj, Prokuroria thotë se nuk ka prova që të akuzuarit kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar krimet ose për të ndëshkuar anëtarët e UÇK-së të cilët kanë kryer krime.

Tutje, thuhet se në vend që anëtarët që kanë kryer krime të përjashtohen, ata u promovuan dhe iu dhanë përgjegjësi shtesë.

“Arsyeja e veprimeve dhe mosveprimeve të të Akuzuarve është e qartë: të Akuzuarit kishin për qëllim kryerjen e krimeve të akuzuara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Krejtësisht në fund të kësaj pjese, Prokuroria thotë së të akuzuarit janë individualisht përgjegjës për krimet e kryera dhe se autoriteti i tyre buronte nga statusi i tyre si anëtarë themelues ose të hershëm të UÇK-së.

“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ku bënin pjesë të Akuzuarit, ishte në majë të hierarkisë së UÇK-së dhe pritej të respektohej me “fanatizëm”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts