Në një kompleks banesor në Prishtinë në lagjen “Dardania”, papritmas dhe nga shkaqe të panjohura, matësit e energjisë elektrike morën flakë.
Një nga banorët e atij blloku kishte deklaruar se së pari ishte ndalur një linjë e energjisë, si pasojë e së cilës kanë mbetur pa furnizim plot pajisje, përfshirë dhe ashensorin e objektit.
Më pas, orët matëse që gjenden në katin e parë të bllokut, u përfshinë nga zjarri.
Lidhur me rastin, nga KEDS-i kanë konfirmuar për IndeksOnline se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
“Ekipet e KEDS-it ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po e monitorojnë situatën nga afër. Aktualisht po punohet intensivisht për sanimin e problemit në kohën më të shkurtër të mundshme, ndërsa shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura” deklaroi zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj.
Nga ana tjetër, për rastin u deklarua edhe zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Samed Shkodra.
Shkodra bëri me dije se ekipet e zjarrfikësve iu përgjigjen telefonatës në rrugën “Ilaz Kodra”, por intervenimi nuk ishte i nevojshëm sepse fatmirësisht zjarri ishte ndalur me t’u ndërprerë energjia nga njësiti i KEDS-it.



















