Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit është duke vazhduar, ndërsa tashmë janë bërë të ditura se kujt prej deputetëve të legjislaturës së 10-të nuk iu besua edhe një mandat nga qytetarët.

Më shumë se 18 mijë vota i kushtoi deklarata kundër Hashim Thaçit, Fatos Gecit të VV-së. Ai, i cili në zgjedhjet e dhjetorit kishte marrë 28,349 vota, në këto zgjedhje deri më tani, kur janë numëruar 92% e votave, ka marrë vetëm 9,719 vota, ndërsa është renditur i 76-ti në listën e kandidatëve.

Ish-deputetët tjerë të VV-së që nuk do të marrin një ulëse në Kuvend janë Fjolla Ujkani, Fitim Haziri, Salih Zyba, Vigan Qorolli, Drita Pajaziti, Arsim Ademi, Rozeta Hajdari.

Megjithatë, disa nga ta mund të hyjnë nëse Albin Kurti arrin ta formojë qeverinë e re; këta hyjnë në vend të deputetëve që zgjidhen ministra të Qeverisë së re.

Më shumë se 7 mijë vota i ka humbur nga zgjedhjet e dhjetorit Nait Hasani i PDK-së, kjo pasi u akuzua se kishte vjedhur vota, ndërsa qytetarët e kanë ndëshkuar me vota, duke e renditur të 29-tin në listën e kësaj partie me 15,863 vota të marra deri më tani.

As Xhavit Haliti nuk do të jetë në Kuvend, ky për shkak të kuotës gjinore, ku vendin deri më tani ia ka zënë Ariana Musliu Shoshi, ndërsa të tjerë ish-deputetë të PDK-së që nuk kanë kaluar është vetëm Arbnore Salihu.

Kalimi në listën e LDK-së, Haxhi Avdylit duket se nuk iu përkthye në vota. Ai në këto zgjedhje ka marrë vetëm 6,759 vota, 27 mijë më pak se në zgjedhjet e dhjetorit kur ishte në listën e VV-së.

Në listën e LDK-së, për edhe një mandat duket se nuk do të jetë Adelina Thaçi Meta, por megjithatë kjo është në prag të listës, që nëse dikush nga LDK nuk e merr mandatin, atëherë i besohet kësaj.

Në listën e AAK-së, të gjithë deputetët që kanë qenë në legjislaturën e 10-të do të jenë edhe në këtë legjislaturë, duke iu shtuar Teuta Haxhiu. Megjithatë, në këtë parti, Daut Haradinaj dhe Ardian Gjini kanë paralajmëruar se nuk do ta pranojnë mandatin dhe në vend të tyre do të mund të hyjnë Burim Ramadani e Agim Çeku.

Megjithatë, këta emra akoma mund të ndryshojnë pas numërimit të votave të tjera të mbetura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts