Një aksident i pazakontë trafiku ka ndodhur pasditen e së shtunës në Vitomiricë të Pejës, ku një fëmijë me trotinet elektrik është përplasur me një veturë zyrtare të Policisë së Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20 në rrugën “Rrustem Gashi”, ndërsa në ngjarje ishte i përfshirë një automjet policor me zyrtar policor në detyrë.
Sipas të dhënave fillestare nga hetimet, fëmija kishte qenë i ndalur në skaj të rrugës me trotinetin elektrik, por në një moment është futur papritur në lëvizje, duke goditur veturën zyrtare e cila ishte në kalim.
Si pasojë e përplasjes, lëndime të lehta trupore ka pësuar drejtuesi i trotinetit, ndërsa automjeti policor ka pësuar dëme të vogla materiale.
Për shkak se në aksident ishte i përfshirë një fëmijë nën moshën 14-vjeçare, i cili sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor nuk ka të drejtë të drejtojë trotinet elektrik në komunikacion, përgjegjësia kundërvajtëse bie mbi prindin ose kujdestarin e tij.
Lidhur me rastin janë njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe prokurorja kujdestare, ndërsa procedurat ligjore janë në vazhdim.



















