Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës.
Sipas KQZ-së, nga fillimi i procesit më 9 qershor deri më 14 qershor 2026, janë trajtuar gjithsej 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërsa janë refuzuar 2,981.
Institucioni zgjedhor ka sqaruar se arsyeja më e shpeshtë e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, e evidentuar në 2,552 raste.
Arsye të tjera përfshijnë dërgimin e më shumë se një fletëvotimi në një pako ose nga më shumë se një person (322 raste), votimin nga shtete të ndryshme nga ai i regjistrimit (23 raste), mungesën e fletëvotimit (32 raste), mungesën e pullës apo vulës postare (5 raste), si dhe një rast ku fletëvotimi ka qenë i shtypur.
Po ashtu janë evidentuar edhe 46 zarfe të dërguara gabimisht.
KQZ ka bërë të ditur se pakot janë tërhequr nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme dhe nga kutia postare në Kosovë, ndërsa votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026.
Në këtë proces ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës.
Paralelisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon edhe numërimi i votave të ardhura përmes postës. Deri më tani, janë numëruar 60 kuti votimi me zarfet e aprovuara nga shërbimi votues i KQZ-së.
KQZ thekson se procesi i numërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të të gjitha votave të diasporës, të cilat po verifikohen sipas procedurave zgjedhore në fuqi.



















