Me ardhjen e ditëve të ngrohta, shumë qytetarë kalojnë më tepër kohë në natyrë, në male, parqe dhe zona me bar të lartë. Megjithatë, kjo periudhë shoqërohet edhe me rritjen e rrezikut nga rriqnat, insekte të vogla që mund të transmetojnë sëmundje të ndryshme te njerëzit dhe kafshët.
Si të mbrohemi?
Ekspertët rekomandojnë disa masa të thjeshta për të zvogëluar rrezikun e pickimit nga rriqnat:
* Vishni rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata kur qëndroni në zona me bar ose pyje.
* Përdorni preparate kundër insekteve në lëkurë dhe veshje.
* Ecni në shtigje të pastra dhe shmangni kontaktin me barin e lartë dhe shkurret.
* Kontrolloni trupin, flokët dhe rrobat pas kthimit nga natyra.
* Kontrolloni edhe kafshët shtëpiake, pasi ato mund të sjellin rriqna në shtëpi.
Çfarë duhet të bëni nëse ju pickon një rriqnë?
Nëse vëreni një rriqnë të ngjitur në lëkurë, hiqeni sa më shpejt me një piskatore duke e kapur sa më afër lëkurës dhe duke e tërhequr ngadalë. Pas largimit, dezinfektoni zonën e pickimit.
Në rast se pas pickimit shfaqen simptoma si skuqje e pazakontë, temperaturë, lodhje, dhimbje koke apo muskujsh, kërkoni ndihmë mjekësore.
Kujdes i shtuar gjatë verës
Rriqnat janë më aktive gjatë pranverës dhe verës, ndaj kujdesi dhe kontrolli i rregullt pas aktiviteteve në natyrë mbeten mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga pasojat që mund të shkaktojnë.



















