Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të mbeten institucionet që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.
Të dhënat e publikuara tregojnë se 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto institucione në krye të listës për nivelin e besueshmërisë publike.
Policia e Kosovës e cilësoi këtë vlerësim si një tregues të qartë të profesionalizmit dhe përkushtimit të zyrtarëve të saj në garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit. Sipas institucionit, besimi i qytetarëve mbetet baza e punës policore dhe një element kyç në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin.
Anketa evidenton gjithashtu se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si ndër prioritetet më të rëndësishme për zhvillimin e vendit.




















