Mesfushori francez Matteo Guendouzi ka vlerësuar lart transferimin e Vedat Muriqit te Fenerbahçe, duke u shprehur i bindur se sulmuesi kosovar do të ketë një ndikim të madh te gjiganti turk.
Muriqi iu bashkua Fenerbahçes gjatë afatit kalimtar të verës, pasi u transferua nga Mallorca, ndërsa sezonin e ri do të formojë një dyshe të rëndësishme me Guendouzin.
Duke folur për sulmuesin kosovar, francezi nuk i kurseu elozhet.
“E di shumë mirë sa lojtar i mirë dhe sa karakter i fortë është Vedat. Më pëlqejnë lojtarët me këtë mentalitet fitues. Është shumë e rëndësishme që një ekip të ketë futbollistë të tillë”, deklaroi Guendouzi.
Ai shtoi se pret shumë gola nga Muriqi në sezonin e ri.
“Jam i bindur se ai do t’i sjellë shumë skuadrës dhe do të shënojë shumë gola. Madje besoj se mund ta kalojë shifrën e 20 golave, sepse e ka bërë këtë edhe në Spanjë, ku ka shënuar shumë.”
Guendouzi theksoi se Muriqi do të jetë një nga lojtarët kyç të Fenerbahçes, ndërsa pranoi se dyshes do t’i duhet pak kohë për të krijuar automatizmat në fushë.
“Ai do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Natyrisht, na duhet pak kohë që të njihemi më mirë në fushë. Edhe unë dua ta ndihmoj që të shënojë sa më shumë gola. E di që është një lojtar dhe një njeri i mirë dhe besoj se prania e tij do t’i sjellë shumë skuadrës”, përfundoi mesfushori francez.



















