Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktgjykimin me të cilin Labeat Kastrati ishte dënuar me 13 vjet e 11 muaj burgim, duke vendosur që çështja ndaj tij dhe dy të akuzuarve të tjerë, Fahri Kajtazit dhe Hamdi Mavriqit, të kthehet sërish në rigjykim.

Vendimi është marrë më 7 korrik nga kolegji i Departamentit për Krime të Rënda, i kryesuar nga gjyqtarja Kadrije Goga Lubishtani, me anëtarë Valbona Musliu-Selimaj dhe Arben Hoti.

Kastrati ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasje dhe vrasje në tentativë. Për veprën e parë ishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për të dytën me 4 vjet, për t’iu shqiptuar përfundimisht dënimi unik prej 13 vjet e 11 muaj burgim.

Por ky aktgjykim nuk e ka kaluar filtrin e Gjykatës së Apelit.

Kolegji ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, duke konstatuar se vendimi i shkallës së parë është përfshirë nga shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se për faktet vendimtare mungojnë arsyet e mjaftueshme, të qarta dhe konkrete.

Labeat Kastrati mbrohet në këtë proces nga avokati Besnik R. BERISHA, i cili kishte kërkuar rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Në ankesën e tij, Berisha kishte ngritur pretendime për shkelje esenciale të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për vendimin mbi sanksionin penal.

Mbrojtja kishte kërkuar që Kastrati të lirohej nga akuza për vrasje në tentativë ose, alternativisht, që aktgjykimi të anulohej dhe çështja të kthehej në rigjykim. Edhe para kolegjit të Apelit, Berisha kishte insistuar se mangësitë e vendimit ishin të tilla që ai nuk mund të qëndronte.

Apeli përfundimisht ka zgjedhur alternativën e dytë, duke anuluar aktgjykimin dhe kthyer të gjithë çështjen në rigjykim.

Një prej çështjeve kryesore që Apeli kërkon të sqarohet lidhet me vetë dinamikën e të shtënave dhe përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë.

Gjykata ka kërkuar që në rigjykim, gjatë rikonstruktimit të vendit të ngjarjes, të shqyrtohet angazhimi i një eksperti të balistikës ose të një fushe tjetër përkatëse, në mënyrë që të përcaktohen pozita e qitësit dhe e viktimës, trajektorja e të shtënave dhe se cili prej të akuzuarve e ka goditur viktimën.

Sipas Apelit, këto janë fakte vendimtare për çështjen dhe, pa u sqaruar, vendimi i shkallës së parë mbetet “i mangët dhe i paqëndrueshëm”.

Rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur në dhjetor të vitit 2001 në Prishtinë dhe ka kaluar nëpër një histori të gjatë procedurale. Edhe Gjykata Supreme kishte ndërhyrë më herët në këtë proces, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Në aktvendimin e fundit, Apeli ka rikujtuar madje se një prej shkeljeve të konstatuara tani ishte evidentuar edhe nga Gjykata Supreme në vitin 2009, por nuk ishte eliminuar siç duhej gjatë rigjykimit.

Pavarësisht anulimit të dënimit, Kastrati nuk është liruar nga paraburgimi në këtë fazë.

Gjykata e Apelit ka vendosur që masa e paraburgimit ndaj tij të vazhdojë, duke vlerësuar se kushtet ligjore për këtë masë vazhdojnë të ekzistojnë. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Tashmë, shkalla e parë duhet ta shqyrtojë çështjen nga e para në pjesët e cenuara, të eliminojë shkeljet e konstatuara nga Apeli, të administrojë dhe vlerësojë në mënyrë të plotë provat dhe më pas të marrë një vendim të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts