Një lajm i mirë vjen nga ishulli britanik për trajnerin Edi Reja dhe Kombëtaren e Shqipërisë, në prag të ndeshjeve të muajit qershor për Nations League.
Burime të sigurta të “Dosja.al” bëjnë me dije se sulmuesi Armando Broja, i cili ishte i infektuar nga Covid-19, madje nuk ka qenë edhe në ndeshjen e fundit të Southamptonit ndaj Leicesterit, para tri ditësh është negativizuar.
Dhe ai nuk ka pritur gjatë, por menjëherë ka nisur të vrapojë në qendrën stërvitore të Chelseas. Prej tri ditësh, me një trajner të personalizuar në Londër, ai po stërvitet për të arritur sa më shpejtë parametrat e nevojshëm fizikë për të qenë në fushën e lojës.
Burimi në fjalë tregon se sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të Kombëtares sonë më 6 qershor në Rejkjavik ndaj Islandës.
Por pas përfundimit të saj, ai do të udhëtojë për të Tiranë për t’u bashkuar me kuqezinjtë e Kombëtares dhe për t’u vënë nën urdhërat e trajnerit Edi Reja. Me shumë gjasa, sulmuesi Broja do të jetë në fushën e “Air Albania” në takimin e 10 qershorit ndaj Izraelit.