Këngëtari dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri (Labi), ka bërë thirrje publike për mbështetjen financiare të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-të burgosurit politik dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Koci, i cili po përballet me kancer.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka njoftuar se ka dhuruar 1.000 euro dhe ka ftuar qytetarët, veteranët, veprimtarët e lirisë dhe mërgatën shqiptare të bashkohen në fushatën humanitare, me synimin për të mbledhur rreth 50 mijë euro për trajtimin e Kocit.
Sipas Tahirit, Gani Koci ishte një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, për çka u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg. Ai ka kujtuar gjithashtu se Koci ishte pjesëtar dhe epror i UÇK-së, aktiv edhe në vitet para luftës.
“Unë ndiej përgjegjësi për ta ndihmuar, sepse ai e ndihmoi familjen time dhe shumë familje shqiptare me sakrificën e tij, me shokët e tij dhe me vitet e rinisë që ia kushtoi lirisë së Kosovës. Sot është koha që edhe ne të bëjmë diçka për të”, ka shkruar Tahiri.
Fushata për mbledhjen e fondeve është hapur në platformën GoFundMe, ku qytetarët mund të japin kontributin e tyre për të mbështetur trajtimin e Gani Kocit.




















