Shqiptari Romeo Bajrami është vënë nën akuzë nga autoritetet federale amerikane për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se kaloi kufirin nga Kanadaja me një motor uji të marrë me qira.
Sipas dosjes penale, 40-vjeçari dyshohet se kaloi lumin St. Clair me një mjet lundrues të tipit “Sea-Doo”, ndërsa gjatë udhëtimit transmetoi drejtpërdrejt në Facebook. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë përfshirë në provat e hetimit.
Bajrami dyshohet se e kishte marrë me qira motorin e ujit në qytetin Sarnia të Kanadasë, por nuk e kishte kthyer. Pas njoftimit të autoriteteve kanadeze, Garda Bregdetare dhe Patrulla Kufitare amerikane nisën kërkimet.
Mjeti lundrues u gjet më vonë i braktisur në brigjet e Port Huronit, në shtetin e Miçiganit.
Gjatë hetimeve, agjentët zbuluan një video publike në Facebook, ku sipas tyre shihet Bajrami duke kaluar lumin me “Sea-Doo”. Autoritetet pretendojnë se të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me zonën ku ai dyshohet se hyri ilegalisht në territorin amerikan.
Pas gati një viti hetimesh, Bajrami u lokalizua në një burg në Boston, ku po mbahej i arrestuar për një çështje tjetër.
Ai tashmë përballet me akuzën për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe, në rast se shpallet fajtor, rrezikon deri në gjashtë muaj burg.




















