Në një fitil kabllondezës, nga 24 lokuse të gjeneve të ADN-së, 20 prej tyre janë gjetur mostra të ADN-së që i përkasin të pandehurit Jovan Viqentijeviq, i cili akuzohet për sulm terrorist në kanalin e Ibër Lepencit.
Këto prova në Gjykatën Themelore në Prishtinë u paraqitën nga biologu në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, dëshmitari i dytë, i cili po dëshmon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Fatmir Ademi.
“Sa i përket përputhjeve të personave nën shifrat S1, S2, që është Jovan Viqentijeviq, S3-S4 Dragisha, ne përputhjet me dëshmitë e caktuara i kemi dhënë në raportin e ADN-së. Çka është me rëndësi, në konkluzionin numër 5, ndër dëshmitë e tjera kanë qenë edhe tre dëshmi nga vendi i ngjarjes, ku janë fituar profile të përziera të ADN-së dhe ne këtu i kemi kontrolluar në mënyrë manuale. Në dëshminë numër 4, e cila është e përshkruar si një fitil kabllondezës me gjatësi 60 metra, gjatë kontrollimit ne kemi vërejtur shenjat e personit S1, Jovan. Prej 24 lokuseve të gjeneve që kemi analizuar, në 20 vende kemi gjetur shenjat e S1. Ne i përdorim metodat më të avancuara shkencore, të cilat janë të validuara dhe që ekzistojnë procedura të shkruara që secili ekspert t’i përdorë të njëjtat. Në procedurën krijuese për faktimin e sasisë, kemi përdorur instrumentin One Studio Test”, tha ai.
Një ekspertizë ka bërë edhe laboratori i Romës, i cili ka vërtetuar të gjeturat e njëjta.
Në ekspertizë thuhet se gjurmët më të mëdha janë të të akuzuarit.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, ka ndërprerë seancën, si pasojë që mbrojtja nuk është e përgatitur për pyetje.
E njëjta do të vazhdojë të martën në ora 13:30.
Ndërkohë, në seancën e 9 korrikut, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm dhe refuzuan ta lexojnë aktakuzën.




















