Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për rritje të vigjilencës te fermerët mbajtës të deleve dhe dhive, pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes së Lisë së Dhenve dhe Dhive në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.

AUV ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje dhe ka kërkuar nga fermerët që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë për mbrojtjen e tufave të tyre.

Ndër masat e rekomanduara janë ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat pa autorizim të veterinerit zyrtar, kufizimi i hyrjes së personave dhe automjeteve të paautorizuara, shmangia e kontaktit me tufat e fermave të tjera, si dhe pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt i objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit.

Agjencia ka kërkuar gjithashtu që kafshët e sapoblera të mbahen të ndara nga tufa për një periudhë vëzhgimi dhe fermerët të kontrollojnë çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.

Sipas AUV-së, fermerët duhet të lajmërojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e agjencisë nëse vërejnë shenja klinike te kafshët, si temperaturë të lartë, puçrra apo plagë në lëkurë, gojë, hundë ose gjinj, rrjedhje nga sytë apo hunda, mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje.

AUV ka theksuar se kafshët e dyshuara nuk duhet të trajtohen apo të lëvizen pa udhëzime profesionale.

Agjencia ka sqaruar se Lija e Dhenve dhe Lija e Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por shkakton dëme ekonomike për fermerët dhe ekonominë e vendit.

“Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin”, ka bërë të ditur AUV.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts