Shqipëria do të përballet këtë të diel me Bjellorusinë në Budapest të Hungarisë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Përballja që do të zhvillohet në stadiumin “Illovszky Rudolf”, nga ora 18:00, do të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e tifozëve.
Kjo vjen si pasojë e sanksioneve të vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë, pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni më 3 mars 2022.
Sipas këtyre masave, kombëtarja dhe klubet bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si vendase në terrene neutrale dhe pa spektatorë. Ky vendim vazhdon të jetë në fuqi edhe për përballjen ndaj Shqipërisë, duke ua pamundësuar tifozëve shqiptarë mbështetjen e kuqezinjve nga tribunat.
Sa i përket rëndësisë së ndeshjes, Shqipëria hyn në këtë përballje si kryesuese e Grupit C1 me 12 pikë, ndërsa Bjellorusia renditet e dyta me 10 pikë.
Kuqezinjve u mjafton edhe një barazim për ta siguruar vendin e parë në grup dhe për t’u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve.


















