Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, ka zbuluar rreth 13,000 euro mjete monetare të padeklaruara, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e mjeteve monetare mbi pragun prej 10,000 euro.
Gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, një shtetas i huaj është intervistuar nga zyrtari doganor lidhur me posedimin e mjeteve monetare apo mallrave që kishte për të deklaruar. I njëjti ka deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar.
Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë realizuar kontrollin e automjetit dhe kontrollin personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare në vlerë prej rreth 13,000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar, duke tejkaluar pragun ligjor prej 10,000 euro.
Për rastin janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa mjetet monetare janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre.
Dogana e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e qarkullimit të mjeteve monetare të padeklaruara dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme në kufi. Përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi, Dogana e Kosovës kontribuon në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe në garantimin e sigurisë dhe integritetit të kufirit doganor.




















