Një konflikt brenda familjes ka përfunduar me plagosje me armë zjarri në Suharekë, ku një 77-vjeçar dyshohet se ka qëlluar ndaj djalit të tij, duke e lënë të plagosur.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës 19:00, në fshatin Savrovë të Suharekës.

Pas marrjes së informacionit për plagosjen, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Suharekë. Një dëshmitar u ka treguar policëve se i dyshuari kishte qëlluar me armë ndaj djalit të tij dhe më pas ishte mbyllur në një dhomë të shtëpisë.

Pas negociatave me policinë, Demir Krasniqi është dorëzuar, por ka mohuar se posedonte armë.

Megjithatë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe kontrollit të perimetrit të jashtëm, policia ka gjetur të fshehur një pistoletë Zoraki 917-T, kalibër 9 mm, së bashku me pesë fishekë dhe një karikator, të cilat dyshohet se janë përdorur në incident. Arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Viktima fillimisht ka marrë ndihmë në Emergjencën e Suharekës, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Demir Krasniqit është iniciuar procedurë për veprat penale (Lëndim i lehtë trupor)”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”, ndërsa i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet nga hetuesit rajonalë, të cilët pritet të zbardhin motivet dhe rrethanat e plota të plagosjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts