Një shtetas kosovar i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar nga INTERPOL-i është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas policisë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 4 gusht ekstradimin e personit me inicialet K.B.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts