Përparim Rama ka thënë se po vazhdon fushata e tij të cilën e quan si fushatë shpifjesh dhe dezinformatash. Kreu i Prishtinës ka bërë thirrje që të gjitha akuzat për dallavere të shfletohen faqe për faqe dhe pastaj të dalin të gjithë ata në opinion.
““Lule Gjelat” e paskan nis ditën me atë që e bëjnë më së miri me SHPIF!
Meqë shtetin e sollët në pikën zero dhe krejt luftën politike e degradut në falsifikime, fabrikime e gjuhë rrugaçësh, për hir të opinionit publik po i sqaroj dy gjëra.
E para, kam mendu që secili njeri me inteligjencë mesatare e kupton që ato mesazhe të ‘snapchat’ janë të fabrikume. Por, meqë paska nevojë me u thanë edhe publikisht, po ju them:
janë të pavërteta, të fabrikuara dhe, për më tepër, të gërditshme!
Sinqerisht, ndjej keqardhje për Vetëvendosjen që ka mbet me bo politikë me Snapchat, me linçime në Facebook e me lajme të krijume prej inteligjencës artificiale. Kaq sa ju përket juve dhe politikës!
E dyta, lëndët e legalizimit për të cilat paskeni shpif janë krejt aty!
Ju bëj ftesë publike, krejt grupit të asamblistëve të VV-së, merreni me vete edhe KALLXO.com e KOHA.net, me të cilët po ju bashkon tendenca për me e diskreditu shtetin, kapuni për dore dhe shkoni në Drejtorinë e Kadastrit dhe në Drejtorinë e Urbanizmit.
Shfletojini krejt lëndët. Faqe për faqe!
Pastaj dilni para të njëjtit opinion publik dhe kallxoni drejt.
E kur faktet t’jua rrëzojnë fabrikimin, ju pres me dalë po kaq zëshëm edhe me kërku falje. Si guruja juaj nga Shqipëria që dje shpërndau lajme false për Time Kadrijajn dhe pastaj kërkoi falje” shkruan Rama në reagim.




















