Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se kanë arrestuar në flagrancë të pandehurin S.Q., nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Shantazhi” si dhe “Ngacmimi”.

Sipas dyshimeve të ngritura në kuadër të hetimeve të deritanishme, i pandehuri S.Q., nga qershori i vitit 2025 e deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes komunikimeve në rrjetet sociale, dyshohet se ka kanosur dhe shantazhuar të dëmtuarën, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

I njëjti, përmes mesazheve në aplikacionin WhatsApp, ka ushtruar presion ndaj të dëmtuarës, duke e kërcënuar me publikimin dhe dërgimin te familjarët të materialeve që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kërkuar dhe ka arritur të sigurojë mjete financiare, në shumën deri në 50 mijë euro, të cilat e dëmtuara dyshohet se i ka siguruar, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të të dyshuarit.

Po ashtu, sipas dyshimeve të administruara deri në këtë fazë të procedurës, i pandehuri dyshohet se ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj frikë dhe shqetësim të madh emocional, si për veten ashtu edhe për anëtarët e familjes së saj.

I pandehuri gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale.

Po ashtu, lidhur me rastin janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një (1) veturë dhe dy (2) telefona celularë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts