Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës në Ferizaj, duke mirëpritur reagimin e shpejtë të Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se një person me inicialet I.R. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:44, në rrugën “Hamit Rexhepi” në Ferizaj, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht ekipin e Klan Kosovës, i cili ishte duke xhiruar në atë lagje lidhur me një çështje pronësore.

“Lidhur me këtë rast tre (3) persona të tjerë aktualisht ndodhen në arrati, ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave tjerë të dyshuar”, ka njoftuar Prokuroria.

Ndërkaq, AGK-ja ka kërkuar që hetimet të intensifikohen dhe të gjithë personat përgjegjës të përballen me përgjegjësi ligjore.

“AGK-ja mirëpret reagimin e shpejtë të Policisë dhe Prokurorisë në Ferizaj pas sulmit, dhe bën thirrje për intensifikim veprimesh për të mbajtur përgjegjës të gjithë autorët e sulmit të papranueshëm, që cenon sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e mediave në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts