Një muaj pa Petritin, babai e kujton me vargje: “Kujtimi për ty do të jetë i përditshëm, i përjavshëm, i përjetshëm”
Një muaj pas ndarjes nga jeta të Petrit Xhevdet Kallabës nga Rogana, familja e tij vazhdon ta përjetojë me dhimbje të madhe mungesën e tij. Në këtë përvjetor të dhimbshëm, babai i tij, Xhevdet Kallaba, ka ndarë një shkrim prekës kushtuar të birit, duke shprehur mallin, dhimbjen dhe krenarinë për të.
Përmes vargjeve, babai rrëfen se një muaj pas ndarjes, Petriti vazhdon të jetë i pranishëm në jetën e familjes, në kujtime dhe në zemrat e njerëzve që e njohën dhe e deshën.
“Një muaj pa ty, Petrit”, shkruan babai, duke e përmbledhur në vargje dhimbjen e një prindi që humbi të birin.
Një muaj pa ty, Petrit
Mbi tavolinë, në fletoren e kujtimit,
për ty qindra fjali portretin ravijëzuan;
miqtë e tu erdhën me lot në sy,
na ngushëlluan,
dhe me dhembje u larguan.
Sot u bë një muaj që u ndamë,
por ndarja s’të largoi nga shpirti ynë;
përkundrazi, tashmë kishe bërë emër,
që të gjithë të të mbajnë në zemër.
Për ty – Petriti ynë,
dhimbja dhe krenaria
bashkudhëtojnë përmallshëm;
në çdo kujtim, në çdo fjalë,
në çdo hap të jetës sonë.
Kujtimi për ty do të jetë
i përditshëm,
i përjavshëm,
i përjetshëm.
Një muaj pa ty, Petrit,
e megjithatë çdo ditë me ty –
në kujtime, në zemra,
në dashurinë që nuk vdes kurrë.
U prehsh në paqen e përjetshme, Petriti ynë!
Me mall e dhembje të kujtojnë nëna Nexhmije e baba Xhevdet dhe gjithë familja Kallaba nga Rogana
Ndarja nga jeta e Petritit la pas një boshllëk të madh te familjarët dhe miqtë e tij. Një muaj më pas, dhimbja mbetet e fortë, por bashkë me të jeton edhe krenaria për njeriun që ishte dhe kujtimet që la pas.
Për familjen Kallaba, Petriti nuk është vetëm një mungesë, por një kujtim që do të jetojë çdo ditë, në çdo fjalë dhe në çdo zemër që e ruan me dashuri.
Petriti do të kujtohet jo vetëm për pasionin dhe angazhimin e tij në sport, por edhe për kontributin në arsim, kulturë, media dhe në jetën e komunitetit. Ai ishte mësimdhënës i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, edukator, mentor dhe humanist. Me përkushtimin dhe energjinë e tij, Petriti la gjurmë te shumë njerëz dhe në komunitetin ku jetoi e veproi.
Një muaj pas ndarjes së tij nga jeta, këto gjurmë mbeten kujtime të çmuara për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën.




















