Pupovci: S’e kemi në plan ndryshimin e udhëzimit administrativ për uniformën fetare
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se nuk e kanë në plan ta ndryshojnë udhëzimin administrativ që ndalojnë bartjen e uniformës fetare në shkollat publike.
Ai tha në Interaktiv të KTV-së të enjten se Ministria e Arsimit ka bërë përpjekje që nxënëseve të diskriminuara për çështjen e shamisë, t’iu mundësohet vijimi i procesit mësimor.
“Deri më tani ka mundur të ketë ndonjë shkarje, por nuk mund të thuhet se ka pasur mohim të se drejtës për vijimin e shkollimit. Nuk jemi të gatshëm ta rishikojmë udhëzimin te uniforma fetare sepse kap shumë më tepër sesa shamia dhe më anën tjetër, dëshirojmë ta ruajmë sekularitetin e shkollës publike. Gjithnjë ekzistojnë shkolla të tjera që mund të lejohen gjera të tilla, por në shkollën publike nuk do të duhej të ndërhyhej. Ne nuk kemi plane të tilla që ta prekim atë udhëzim”, deklaroi Pupovci.
Ai u shpreh se shkollimi nuk i mohohet askujt por që “disa gjëra që bëhen në praktikë, nuk ka nevojë të shënohen sepse pastaj mund të nxisin fenomene të reja”.