Sylvinho është rikthyer në një prej vendeve më të veçanta të karrierës së tij. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare ishte i pranishëm në “Camp Nou” për të ndjekur sfidën mes Barcelonës dhe Al Ahly, të vlefshme për trofeun “Gamper”.
Rikthimi në stadiumin mitik katalanas i riktheu menjëherë kujtimet e viteve të tij si futbollist i Barcelonës. Sylvinho nuk i fshehu emocionet dhe përmes një postimi në rrjetet sociale ndau me ndjekësit e tij ndjesitë nga kjo vizitë speciale.
Ish-mbrojtësi brazilian, i cili ka lënë gjurmë te Barcelona, shprehu mirënjohjen për klubin dhe njerëzit e tij, ndërsa një falenderim të veçantë pati edhe për drejtorin sportiv të katalanasve, Deco, me të cilin ka ndarë dikur dhomat e zhveshjes.
“U ktheva në ‘Camp Nou’. Është e vështirë të thuash me fjalë se çfarë do të thotë për mua ky vend. Ky është vendi ku kam përjetuar disa nga ditët më të lumtura në karrierën time.
Të rikthehem, të ndiej atë atmosferë dhe të pritem me kaq shumë dashamirësi… Çfarë ndjesie e jashtëzakonshme. Mirënjohje për Barcelonën dhe gjithë njerëzit e saj për mikpritjen.
Një falënderim për presidentin, drejtuesit e klubit dhe veçanërisht për Decon, mikun tim të përhershëm, i cili sot drejton me shumë klas futbollin e klubit. Faleminderit, Barcelona”, shkroi Sylvinho.




















