Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria nuk do të kursehet në blerjen e vaksinës anti covid në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht çmimit.
Në konferencën për shtyp kryeministri kritikoi ashpër pjesëmarrjen në në ditëlindjen e një aktori, të presidentit Meta dhe shefes së LSI Kryemadhi.
“Shembull skandaloz presidenti, zonja e parë dhe ceta e tyre. Është e qartë për të gjithë. Nuk mund të ketë grumbullime mbi 10 persona. Na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut me ligjin dhe shëndetin e të tjerëve. Na duhet të reduktojmë aktivitetet në 10 veta”.
Pretendimin e opozitës se mësuesit nuk deklarojnë të qënurit pozitiv me covid pasi mund të humbim vendin e punës, kreu i qeverisë e quajti skandaloz dhe lajm të rremë.
“Është absurditet kush thotë se është me kovid humb vendin e punës. Teatër absurd i Lulzim Bashës me aktorë. Rreth tij vinë si fanatik të partisë. Nuk ndodh. Kush mund ta konceptojë se mësuesi humb vend pune kur sëmuret”.
Duke u ndalur në procesin e rindërtimit kryeministri tha se do të ndërtohen 155 objekte arsimorë në 11 bashki me një vlerë investimi 185 milion dollarë. Ndërsa Evis Kushi ministre e arsimit deklaroi se vitin 2021 paga e mësuesve do të rritet me 15% ndërsa 250 mijë nxënës të klasave të gjashta dhe të shtata do të përfshihen në marrjen e librave falas.