Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mangësi të shumta në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A7 dhe A6, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj.
Sipas ZKA-së, procedura ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese dhe, për shkak të vonesave, ishte zgjatur për rreth pesë muaj. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve, Ministria kishte lidhur katër kontrata të negociuara, për të cilat deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro.
Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur.
Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i së cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës. Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë”.
Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar”
Dallime të theksuara janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë. Në Llotin e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto devijime nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë, duke rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave’ , theksohet më tej në raport, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se planifikimi në kohë i procedurave, përcaktimi i kritereve të qarta dhe vlerësimi i dokumentuar i ofertave janë të domosdoshme për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe vlerë më të mirë për paranë publike.
Spanca tha se Ministria duhet të forcojë kontrollet në të gjitha fazat e prokurimit, veçanërisht në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik të ofertave si dhe parandalimin dhe menaxhimin e rrethanave që mund të krijojnë konflikt interesi.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028” e gjeni këtu: https://short-url.cc/1Cbf7




















