Sot kanë përfunduar gërmimet vlerësuese dhe procesi i zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacionet e konfirmuara të varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, me përfundimin e aktiviteteve të sotme, është përmbyllur puna katërjavore e ekipeve në terren, e cila ka përfshirë gërmimet vlerësuese, zhvarrosjen e mbetjeve mortore, dokumentimin mjekoligjor dhe vlerësimin e plotë të hapësirave me interes.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, në aktivitetet gërmuese dhe procesin e zhvarrosjes kanë qenë të angazhuara ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur (SPZh), në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), si dhe njësitë e tjera përkatëse të Policisë dhe sigurisë. Aktivitetet janë zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), përkatësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Aktivitetet janë zhvilluar në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Gjykata kompetente, sipas kërkesës së Prokurores së rastit në kuadër të Departamentit për Krime Lufte -në kuadër të PSRK-së.
Po ashtu, ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të IML-së kanë përkrahur procesin e vlerësimit të lokacioneve dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.
Bazuar në gjetjet dhe dokumentimin mjekoligjor, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve. Me këto gjetje, në tri lokacionet e konfirmuara të varreve masive në këtë zonë, është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjithsej 23 personave, viktima të zhdukjes me forcë.
Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në IML dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e metejmë sipas procedurave përkatëse përfshirë informimin zyrtar të familjeve.
“Në përmbyllje të kësaj pune katërjavore, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjitha ekipet dhe institucionet e angazhuara në këtë proces, duke filluar nga ekipi i Policisë së Kosovës në kuadër të Sektorit për Persona të Zhdukur, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë profesionistët e angazhuar në terren, si dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Mbi të gjitha, shprehim mirënjohje dhe respekt të veçantë për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve”, për bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë këtij procesi” deklaron Komisioni.




















