Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në detyrë lidhur me politikat në sektorin e energjisë dhe themelimin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE).

Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se më 13 mars 2024 Qeveria e kishte themeluar KRE-në me qëllim të menaxhimit të kapaciteteve për ruajtjen e energjisë, por, sipas saj, Kosova ende nuk posedon këto kapacitete.

Ajo tha se gjatë kësaj periudhe Kosova ka importuar mbi 538 milionë euro energji elektrike.

“Prej asaj kohe, Kosova ka importuar mbi 538 milionë euro energji elektrike: 2024: 142 milionë euro, 2025: 259 milionë euro, janar-Gusht 2026: 137 milionë euro”, shkroi Bajrami.

Bajrami ka kritikuar edhe vendimin e fundit të Qeverisë në detyrë për kompensimin mujor të anëtarëve të Bordit të KRE-së, duke thënë se vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur në orët e natës.

“Kapacitete për ruajtje të energjisë nuk ka, ndërmarrje ka, kompensime për Bordin u caktua, e importi ka arritur në 538 milionë euro”, ka shkruar ajo.

Duke iu referuar shprehjes së përdorur shpesh nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, “qerrja para kalit”, Bajrami ka deklaruar se ky është, sipas saj, shembulli i qeverisjes së Kurtit, “ndërmarrja, bordi dhe kompensimet para kapaciteteve që do të duhej t’i menaxhonin”.

“Albin Kurti na ka folur shpesh për “qerren para kalit”. Ja fenomeni i qeverisje së tij i qerres para kalit: ndërmarrja, bordi dhe kompensimet para kapaciteteve që do të duhej t’i menaxhonin.

Prokuroria duhet seriozisht të merret me ”mafinë energjetike”, i shterri xhepat e një populli”, ka shkruar Bajrami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts