
Bekim Sejdiu është propozuar si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas negociatave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit mes dy subjekteve politike, raporton Ekonomia Online.
Sejdiu ka thënë se pajtueshmëria për emrin e tij e nderon, duke falënderuar përfaqësuesit e të dyja partive për besimin e dhënë.
“Siç e tha kryetari i Lidhjes Demokratike, zotëri Abdixhiku, dhe siç jeni në njohuri të gjithë, përgjatë ditëve të fundit partitë politike, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë zhvilluar negociata intensive me qëllim të gjetjes së një emri të një kandidati jopartiak për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtyre negociatave, dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Gjithsesi, kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike — për çka shfrytëzoj rastin publikisht t’i falënderoj — është besim i madh dhe nder i madh.
Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale. Sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si dhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia.
Siç e dimë të gjithë, procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës është një proces që ka një aspekt politik dhe një procedurë kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.


















