Kryetari i Aleancës dhe i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e komunave të Kosovës, e cila do të mbahet nesër në Prishtinë, kundër asaj që ai e konsideron cenim të kompetencave dhe të drejtave ligjore të pushtetit lokal nga niveli qendror.
Gjini ka thënë se komunat janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe segmenti kryesor i përfaqësimit të tyre institucional, ndërsa ka akuzuar nivelin qendror se po ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme dhe me motive politike në kompetencat komunale.
Ai ka përmendur shkurtimet buxhetore, lënien jashtë planifikimeve financiare të mbi 3.100 mësimdhënësve, moskompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, centralizimin e inspektorateve dhe punësimit në shërbimin civil, si dhe kufizimet që, sipas tij, po vendosen ndaj pronave komunale.
“Kur komuna humb fuqinë, humbasin edhe shërbimet që ju i merrni çdo ditë. Kur i hiqen kompetencat, dobësohet demokracia lokale. Kur i merren buxhetet, ndalen investimet dhe dëmtohen shërbimet publike”, ka deklaruar Gjini.
Kryetari i Aleancës ka theksuar se protesta nuk është kundër kryetarëve apo administratave komunale, por në mbrojtje të qytetarëve dhe të funksionimit të pushtetit lokal.
“Prandaj, ne komunat e Kosovës kemi vendosur që nesër ta ngremë zërin për të kërkuar të drejtat e kompetencat tona ligjore, sepse kjo situatë nuk po e dëmton kryetarin e administratën komunale, por po e dëmton vet qytetarin”, ka shkruar Gjini.
Ai ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar pushtetin lokal si themel të demokracisë dhe të jetës së përditshme të qytetarëve.
Protesta do të mbahet më 1 shtator, në ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Për komunat. Për qytetarët. Për pushtetin lokal”, ka përfunduar Gjini.


















