Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka hedhur kritika në drejtim të shefit të saj të partisë, Lumir Abdixhiku, pas paraqitjes së mbrëmshme në Kanal10.
“…jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes.
Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua.
E para, ferizajasit nuk flasin me “s’nDi”… kush më njeh e di se si flas.
E dyta, as që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm?
Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit.
Për më tepër, e kam përmbyllur deklaratën duke thënë se i kam parasysh pasojat nga organet e partisë dhe i respektoj ato, por ky mbetet qëndrimi im.
Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Këtë postim nuk e bëra për t’u arsyetuar, se fundja dëshmitar kam Zotin, që është më se i mjaftueshëm, por dua t’i tregoj gjithsecilit se çfarë ndodh dhe si ndryshojnë njerëzit në luftën pro dhe kundër mafisë e së keqes.
Thënë këtë, jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike.




















