Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Orikum, ku mbi 10 persona të armatosur kërcënuan biznesmenin e njohur, Vasil Berdinaj, njëherësh kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë prej shumë vitesh.
Sipas raportimeve, ata i kanë kërkuar atij shumën prej pesë milionë eurosh.
Pas rastit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ku gjatë ndjekjes së autorëve, dy persona që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti, e më pas që të dy janë arrestuar.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake.



















