Ndodh edhe kjo në Fushë-Kosovë: Qytetarët gjobiten për një rrugë ku mungojnë shenjat
Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese është raportuar në Fushë-Kosovë, ku qytetarë janë gjobitur nga Policia për qarkullim në një rrugë që pretendohet se është njëkahore, ndonëse në të dyja anët e rrugës mungojnë shenjat përkatëse të komunikacionit.
Sipas qytetarëve të revoltuar, ata janë gjobitur me 150 euro, pavarësisht se kanë ngritur shqetësimin se në rrugë nuk ka asnjë shenjë që tregon se qarkullimi lejohet vetëm në një drejtim.
Qytetarët thonë se, kur kanë kërkuar sqarim nga zyrtarët policorë, u është thënë se “duhet ta dini”, ndërsa si arsyetim është dhënë se në atë pjesë ka pasur shenjë rreth një vit më parë.
Ata janë udhëzuar që për mungesën e sinjalistikës të ankohen në Komunën e Fushë-Kosovës, ndërkohë që gjoba është shqiptuar.
Qytetarët kërkojnë sqarim nga institucionet dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme, duke ngritur pyetjen: Si mund të dënohet një qytetar për shkelje të një rregulli kur në rrugë nuk ka shenjë që e përcakton atë?
Rasti ka shkaktuar shqetësim dhe revoltë te qytetarët, të cilët kërkojnë trajtim të drejtë dhe respektim të rregullave të komunikacionit nga të gjitha palët.















