Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të jetë pjesë e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku është diskutuar për ftesën për vazhdimin e seancës të paraparë për të mërkurën.
Ajo tha se deputetët e LDK-së kanë vendosur të marrin pjesë në seancë, me qëllim që të kontribuojnë në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas saj, vendi ka nevojë që sa më shpejt të krijohen institucionet funksionale, pasi situata aktuale politike po zgjat edhe pas disa palë zgjedhjesh.
“Vendosëm që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë Kosovës institucione”, tha Lushaku-Sadriu.
Ndërkohë, ajo mohoi se gjatë mbledhjes është diskutuar për zgjedhjen e presidentit të Kosovës apo për ndonjë ndryshim të qëndrimit të LDK-së lidhur me këtë çështje.
“Çështja e presidentit absolutisht nuk është diskutuar sepse nuk është temë. Temë është seanca dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja vazhdon të kërkojë që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe institucionet e Kosovës të kthehen në funksion të plotë.



















