Ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur për rezultatet e Kosovës në testin PISA, duke thënë se për punën e bërë gjatë kohës sa ishte ministre dhe gjatë qeverisjes Kurti ndihet shumë mirë.
Ajo ka theksuar rëndësinë e një konsensusi mbarëshoqëror për avancimin e arsimit, ndërsa ka përmendur investimet dhe reformat e bëra në edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve dhe rishikimin e teksteve shkollore.
“Sa i përket rezultateve PISA, është tejet e rëndësishme që të ketë një konsensus mbarë shoqëror për avancimin e arsimit. Për kohën sa vetë kam qenë ministre dhe për kohën sa ka udhëhequr Qeveria Kurti, unë ndihem shumë mirë, sepse kemi pasur investime dhe reforma, çka nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se investimet në edukimin e hershëm gjatë Qeverisë Kurti kanë qenë më të mëdha se në qeveritë e mëparshme.
“Ju besoj e dini që investimet në edukimin e hershëm në kohën e Qeverisë Kurti kanë qenë më të mëdha se në të gjitha qeveritë e mëparshme, ndërkohë që të gjitha studimet dhe të gjitha rezultatet e studimeve tregojnë që edukimi i hershëm është kryesori për rezultatet më të mira të nxënësve”, ka thënë ajo.
Nagavci ka përmendur edhe, siç i ka quajtur, bllokadat partiake nga komunat për investime, si dhe punën në kurikulën për edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve e edukatorëve dhe rishikimin e teksteve shkollore.
“Përkundër që kemi pasur investime të jashtëzakonshme, kemi pasur bllokada partiake prej komunave për investime. Përtej kësaj, ne kemi punuar në kurikulën për edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve, edukatorëve, kemi filluar për herë të parë rishikimin e teksteve shkollore dhe shumë veprime të tjera, rezultate që do të shihen ndërkohë, sepse rezultatet në arsim nuk shihen as brenda ditës, as brenda vitit”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka bërë thirrje për një debat të mirëfilltë për arsimin, duke thënë se kjo është një temë që i përbashkon të gjithë dhe lidhet me të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit.



















