Zyrtarët doganorë në Zyrën e Brendshme Doganore në Prizren kanë identifikuar parregullsi gjatë procedurave të kontrollit dhe verifikimit të një importi, ku janë evidentuar mospërputhje në deklarimin dhe përshkrimin e mallit.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit fizik të mallit, deklaruesi kishte deklaruar se bëhej fjalë për makineri të përdorura, ndërsa çmimi i blerjes ishte deklaruar duke u bazuar në këtë karakteristikë.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit të tabelave identifikuese të makinerive, zyrtarët doganorë konstatuan se makineritë ishin të vitit 2026. Ky konstatim evidentoi mospërputhje ndërmjet të dhënave të deklaruara nga importuesi dhe gjendjes faktike të mallit.
Si rezultat i verifikimeve, është identifikuar shmangie e detyrimeve doganore në vlerë prej 37,800 euro.
Në bazë të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 08/L-247, rasti është trajtuar si deklarim i pasaktë dhe janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe në parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore.
Sipas Doganës, kontrollet dhe verifikimet e deklarimeve kanë për qëllim sigurimin e deklarimit të saktë të mallrave, zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe krijimin e kushteve për konkurrencë të drejtë në treg.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve dhe masave kundër evazionit fiskal dhe deklarimeve të pasakta, me synim mbrojtjen e të hyrave publike dhe zbatimin e ligjit.




















