Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë shpallur “Qytetarë Nderi” të Tiranës.

Vendimi, i propozuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është miratuar unanimisht nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Nisma e Veliajt kishte marrë më herët edhe miratimin unanim të Komisionit Artistik-Kulturor të Bashkisë së Tiranës, pas propozimit të Komisionit të Titujve, të drejtuar nga historiani Pëllumb Xhufi.

Sipas motivacionit të vendimit, katër ish-drejtuesit e UÇK-së nderohen për kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës, në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe për lidhjet e tyre me Tiranën dhe Shqipërinë.

Motivacioni për Hashim Thaçin

Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Motivacioni për Kadri Veselin

Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Motivacioni për Jakup Krasniqin

Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e tij të hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën.

Motivacioni për Rexhep Selimin

Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën, kryeqytetin që në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts