Besimi ndaj shtetit në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar. Sipas një sondazhi të fundit vetëm 32 për qind e të anketuarve thanë se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtetit në përgjithësi, krahasuar me 38 për qind katër vjet më parë.

Sipas studimit “eGovernment Monitor 2026”, publikuar nga nisma D21 dhe Universiteti Teknik i Mynihut, në rënie është edhe besimi ndaj institucioneve shtetërore. Vetëm 34 për qind e qytetarëve shprehin besim të madh ose shumë të madh ndaj administratës dhe zyrave shtetërore, nga 37 për qind që ishte më parë, raporton DW.

Besimi më i lartë te policia

Ndër institucionet publike niveli më i lartë i besimit vazhdon t’i takojë policisë, me 55 për qind, ndjekur nga besimi te sistemi i drejtësisë dhe gjykatat, me 41 për qind.

Sa i përket besimit te politika qytetarët u besojnë më shumë bashkive dhe komunave (29 për qind) sesa institucioneve në nivel rajonal (20 për qind) dhe federal (17 për qind).

Ndërkohë vetëm 20 për qind e të anketuarve deklaruan se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtypit dhe mediave.

Instituti i sondazheve Kantar anketoi në muajt prill dhe maj online në të gjithë Gjermaninë rreth 8.000 vetë mbi moshën 16 vjeç, pra afërsisht 500 të anketuar në secilin land federal. Sipas organizatorëve rezultatet janë përfaqësuese për përdoruesit privatë të internetit.

Fokusi kryesor i sondazhit ishte transformimi digjital i administratës publike. Nisma D21 e konsideron veten si një rrjet jofitimprurës që angazhohet për zhvillimin e shoqërisë digjitale në Gjermani. /DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts