Një 19-vjeçar është gjetur i vdekur të shtunën në fshatin Nikaj të Kaçanikut, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit.
Policia është njoftuar rreth orës 13:30, pasi familjarët e kishin gjetur të riun pa shenja jete.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar rastin.
Pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar policët nga Kaçaniku, hetuesit rajonalë, forenzika dhe ekipi mjekësor i QKMF-së së Kaçanikut.
Personeli shëndetësor ka konstatuar vdekjen e 19-vjeçarit.
Sipas të dhënave të para të Policisë, gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes dhe ekzaminimit fillestar të trupit nuk janë gjetur shenja që sugjerojnë përfshirjen e personave të tjerë.
Policia po e trajton rastin, në këtë fazë, si vdekje të dyshuar nga vetëvrasja, ndërsa hetimet për rrethanat e plota po vazhdojnë.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se i riu ka kryer vetëvrasje. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë që të vazhdojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Veseli për Klankosova.tv.
Rasti tashmë është duke u trajtuar nga hetuesit rajonalë me autorizim të Prokurorisë së Shtetit.


















