Policia e Kosovës ka dhënë detaje për zhvillimet e mbrëmjes pranë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje.
Sipas Policisë, disa protestues kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë.
Policia thotë se ka përdorur pajisjet e nevojshme, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit, me qëllim të shpërndarjes së turmës dhe parandalimit të përshkallëzimit të situatës.
Për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, sipas Policisë, në intervale të ndryshme është ndaluar qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Si pasojë e zhvillimeve dhe mosrespektimit të thirrjeve të policisë, tre protestues janë shoqëruar në stacion policor. Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Sipas informacioneve të deritanishme, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të ndryshme gjatë sulmeve me mjete të ndryshme, ndërsa u është ofruar trajtim mjekësor.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar nga ekipet mjekësore.
Policia ka theksuar se ka ndërhyrë vetëm në rastet kur, sipas saj, protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë, duke thënë se nuk ka vepruar ndaj atyre që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike.
Protesta, sipas Policisë, po vazhdon edhe në orët e vona, ndërsa aktualisht situata është e qetë. Zyrtarët policorë do të qëndrojnë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.


















