Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mbetet një nga prioritetet kryesore.
Këto deklarata Kurti i bëri në ceremoninë e betimit të rekrutëve të FSK-së, gjenerata 02/2026, ku u betuan 515 ushtarë të rinj.
Ai e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjëherë vendi.
“Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, tha Kurti.
Ai theksoi se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se forcimi i saj është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj, ndërsa me gjeneratat e reja të rekrutëve synohet që kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028 të arrihen dy vjet më herët.
Kurti bëri të ditur se janë realizuar blerje të armatimit në vlerë prej mbi 430 milionë eurosh, ndërsa theksoi se FSK-ja po pajiset me mjete moderne, përfshirë dronët Bayraktar dhe Skyguard, si dhe më shumë se 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë.
“Synimi ynë është i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s”, tha ai.
Kryeministri foli edhe për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes, duke paralajmëruar se deri në fund të këtij viti pritet të nisë prodhimi i municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë.
“Deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100 për qind vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se FSK-ja ka marrë pjesë në misione dhe ushtrime ndërkombëtare, përfshirë “Defender 21”, “Defender 23” dhe “Defender 25”, duke e cilësuar ushtrinë e Kosovës si kontribuese në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.


















