Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, me numrin rendor 17.

Me rastin e zgjedhjeve, shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe atyre që jetojnë në Kosovë, u është bërë thirrje të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mbështesin listën e përbashkët, me synimin për të siguruar sa më shumë përfaqësim në Parlamentin e Serbisë.

Thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje në votime kanë bërë përfaqësues të shumtë politikë shqiptarë, përfshirë presidenten e vendit, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Mbështetje për pjesëmarrjen në zgjedhje kanë shprehur edhe përfaqësues të partive të tjera politike në Kosovë, përfshirë Vlorën Çitakun nga PDK-ja, Lutfi Hazirin nga LDK-ja dhe përfaqësues të Aleancës. Thirrjeve u është bashkuar edhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

Bashkimi i partive politike shqiptare në një listë të vetme synon të rrisë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe të forcojë zërin e tyre në parlament.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Sipas Komisionit Zgjedhor Republikan, në zgjedhje janë regjistruar 6 milionë e 450 mijë e 523 votues, ndërsa garojnë gjithsej 18 lista zgjedhore.

Ndërkohë, serbët nga Kosova mund të votojnë në vendvotimet e caktuara në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Rezultati i “Koalicionit Shqiptar” pritet të tregojë shkallën e mobilizimit të elektoratit shqiptar dhe numrin e përfaqësuesve që kjo listë mund të sigurojë në përbërjen e re të Parlamentit të Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts