Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në Gjakovë, ku dyshohet se incidentit i ka paraprirë një mosmarrëveshje mes dy familjeve, Zyberi dhe Vishaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, në rrugën “Bujar Syla”, në Gjakovë.
Sipas informacioneve të raportuara, incidenti dyshohet të ketë lidhje me një konflikt mes familjeve Zyberi dhe Vishaj, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë sqaruar.
Ndërkohë, sipas informacioneve të Policisë, personi i dyshuar është paraqitur në Stacionin Policor në Gjakovë.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij janë iniciuar raste për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me udhëzim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht lidhjen e incidentit me mosmarrëveshjen mes dy familjeve.


















