Fenerbahce ka reaguar ashpër pas incidenteve të regjistruara në derbin e zhvilluar mbrëmjen e kaluar ndaj Galatasarayt, duke dënuar sulmet verbale dhe fizike ndaj futbollistëve të saj.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi pretendon se incidentet nisën me fyerjet ndaj Kerem Akturkoglut dhe më pas u përshkallëzuan, kur Matteo Guendouzi u sulmua nga Serhat Dogan, pjesë e ekipit të analizës së Galatasarayt. Sipas Fenerbahces, në incident u përfshi edhe Abdulkerim Bardakcı, i cili i tërhoqi flokët futbollistit të tyre.
“Rivaliteti dhe tensioni i një derbi nuk i japin askujt të drejtën të sulmojë futbollistët tanë. Ajo që ndodhi nuk mund të justifikohet me ‘tensionin e derbit’”, thuhet në reagimin e klubit.
Fenerbahçe kërkon që të gjitha incidentet të hetohen në mënyrë të plotë dhe personat përgjegjës të ndëshkohen me masa disiplinore, pa asnjë dallim.
“Rruga për ta parandaluar dhunën në futbollin turk është që përgjegjësit të mos mbeten pa u ndëshkuar”, përfundon komunikata e klubit.


















