Barcelona është rikthyer te fitoret pas dy humbjeve radhazi, duke triumfuar me rezultat të thellë 6:1 ndaj Deportivo Alavésit në “Camp Nou”, në një ndeshje ku shkëlqyen Lamine Yamal dhe Raphinha.

Të dy futbollistët realizuan nga dy gola, ndërsa Fermín López dhe Anthony Gordon kontribuuan me nga një gol në fitoren bindëse të katalanasve.

Pas paraqitjes së shkëlqyer, vëmendje tërhoqi edhe zëvendësimi i Lamine Yamalit rreth 20 minuta para përfundimit të takimit. Pavarësisht dy golave të shënuar, trajneri Hansi Flick vendosi ta largonte nga fusha për ta menaxhuar ngarkesën fizike.

“Kur shënon dy gola, është më e lehtë të dalësh nga fusha”, deklaroi me humor trajneri gjerman pas ndeshjes.

Flick shpjegoi se kishte biseduar me talentin spanjoll gjatë pushimit mes dy pjesëve, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të vetëbesimit dhe nevojën për të mos e mbingarkuar me minuta.

“Për ne ishte e rëndësishme që ai ta rikthente vetëbesimin në situatat një kundër një. Ishte mirë që luajti edhe në pjesën e dytë, por njëkohësisht është e rëndësishme që të ketë më pak minuta në këmbë”, u shpreh ai.

Trajneri vlerësoi edhe reagimin e përgjithshëm të skuadrës pas humbjeve ndaj PSG-së dhe Real Madridit, duke thënë se pikërisht këtë paraqitje kishte kërkuar nga futbollistët e tij.

Tani Barcelona e ka vëmendjen te sfidat e ardhshme, ku synon të vazhdojë me rezultate pozitive si në garën vendore, ashtu edhe në atë evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts