Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak Gëzim Berishës, drejtorit të suspenduar të Spitalit të Mitrovicës, pas arrestimit për dhunë në familje.
Në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se Berisha dhe bashkëshortja e tij nuk jetojnë më në bashkësi familjare dhe se masa e arrestit shtëpiak është caktuar në pronën ku e dëmtuara nuk banon.
“Gjykata erdhi në përfundim se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit G.B., pasi kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuaren dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale, këtë vlerësim gjykata e mbështet edhe në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare dhe masa e arrestit shtëpiak është caktuar në pronën ku e dëmtuara nuk banon, rrjedhimisht duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi caktimin e masës së paraburgimit ndaj Gëzim Berishës, të dyshuarit për dhunë në familje.


















