Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.J., për shkak të dyshimit të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të pandehurin E.J., ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.11.2026, rreth orës 00:35, në Ferizaj, rruga “Ramadan Rexhepi”, përkatësisht në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar – QKMF, i pandehuri ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin F.F., – mjekun kujdestar në lidhje me ushtrimin e detyrave të tij zyrtare, në atë mënyrë që, pasi kishte sjellë babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore, gjatë kohës kur personeli mjekësor ishte duke i ofruar trajtimin e nevojshëm, i pandehuri ka ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj personelit mjekësor, me ç’rast për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës për zhvillimin e papenguar të trajtimit mjekësor, i është kërkuar që të largohet nga dhoma, mirëpo i pandehuri ka refuzuar dhe më pas e ka goditur një herë me grusht të dëmtuarin F.F., në pjesën e majtë të fytyrës, me të cilën ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 1 të KPRK-së.
I pandehuri i lartcekur, që nga data 01 Nëntor 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.


















