Cristiano Ronaldo ka njoftuar pensionimin nga Kombëtarja e Portugalisë, duke bërë të ditur se ka ardhur koha për t’ia dorëzuar brezave të ardhshëm fanellën ikonike me numrin 7, të cilën e veshi për plot 23 vjet.
Ylli portugez ka ndarë një mesazh emocional për popullin e Portugalisë, duke kujtuar rrugëtimin e tij me përfaqësuesen, që nisi në gusht të vitit 2003 dhe që, siç shprehet ai, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.
Ronaldo theksoi se ky nuk ishte një vendim i lehtë, pasi për të fanella e Portugalisë përfaqëson shumë më tepër sesa futbollin.
Mesazhi i plotë i Cristiano Ronaldos:
“Popullit portugez!
Ka ardhur dita që t’ia dorëzoj dikujt tjetër fanellën me numrin 7 të Kombëtares sonë. Asnjëherë nuk kam menduar se ajo më përkiste vetëm mua. Por, për 23 vjet, pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta bart me vete në stadiumet anembanë botës.
Sot ka ardhur koha t’ua kaloj atë brezave të ardhshëm.
Nuk ishte një vendim i lehtë. Sepse disa vendime nuk merren vetëm me mendje. Ato merren edhe me zemër.
Një rrugëtim që nisi në gusht të vitit 2003 dhe që ma ndryshoi jetën përgjithmonë, ka ardhur në fund.
Kur i rikthehem gjithçkaje që kam përjetuar me Kombëtaren, nuk shoh vetëm ndeshje, gola, rekorde apo trofe. Shoh njerëz. Shoh portugezët që jetojnë jashtë vendit, të cilët për 90 minuta ndiheshin pak më afër atdheut. Shoh miliona portugezë që nuk i kam takuar kurrë, por që u bënë pjesë e jetës sime.
Sepse, në fund të fundit, futbolli është shumë më tepër se një lojë. Futbolli ka të bëjë me njerëzit.
Gjatë gjithë karrierës sime me Kombëtaren, gjithmonë e kam shtyrë veten përtej kufijve të mi. Kam dashur të fitoj. Kam dashur të bëhem më i mirë. Kam dashur të shkruaj histori. Gjithmonë kam kërkuar maksimumin nga vetja. Gjithmonë kam dashur më shumë. Gjithmonë kam besuar se mund të shkonim edhe më larg.
Dhe për këtë fanellë kam dhënë gjithçka që kisha.
Ka pasur pasdite dhe mbrëmje të përsosura. Ka pasur fitore që nuk do t’i harroj kurrë. Ka pasur humbje që ende më dhemb t’i kujtoj.
Kam bërë gabime. Kam vuajtur. Ka pasur edhe momente kur nuk kam arritur t’i jap popullit portugez atë që e dëshironte aq shumë.
Por nuk jam dorëzuar kurrë. Dhe, mbi të gjitha, nuk kam reshtur kurrë së ndieri krenari për përfaqësimin e Portugalisë.
Gjatë viteve kam mësuar disa gjëra shumë të thjeshta:
Golave u kalon shkëlqimi. Trofetë përfundojnë në muze. Rekordet, herët a vonë, thyhen.
Por ekziston diçka që koha nuk mund ta fshijë kurrë: vendi që zëmë në zemrat e njerëzve.
Nëse kam arritur t’ju bëj të lumtur qoftë edhe një herë, nëse ndonjë nga golat e mi ju ka bërë të përqafoni dikë, të harroni për pak një shqetësim apo të ndiheni krenarë për vendin tonë, atëherë gjithçka ia ka vlejtur”.


















