Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në foltoren e Parlamentit ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por rezultat i luftës, sakrificës dhe mbështetjes së aleatëve, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen ish-drejtuesit e UÇK-së në procesin gjyqësor.
Ai ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen për veprime individuale, por për shkak të pozitave politike që kishin mbajtur gjatë luftës.
“Janë bërë gjashtë vjet që kur krerët e UÇK-së u arrestuan dhe kanë kaluar 50 ditë nga 16 shtatori, kur u dha aktgjykimi në Hagë. Më 16 shtator 2026 nuk u dënuan Jakupi, Hashimi, Kadriu e Rexhepi për veprimet e tyre individuale, por u dënuan për shkak të posteve politike që ata i kishin mbajtur”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e gjykatës lidhur me strukturën organizative të UÇK-së, duke përmendur gjyqtarin Smith dhe interpretimin e tij për Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm.
“Jo rastësisht gjyqtari Smith këmbëngulte që Drejtoria Politike e UÇK-së ishte organ mbi organet e tjera dhe kishte autoritet mbi të gjithë UÇK-në. Jo rastësisht ata duan t’i bëjnë përgjegjës personat që në një mënyrë ishin të lidhur me Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë ai.
Sipas deputetit të PDK-së, kjo qasje, siç pretendon ai, synon të njollosë edhe objektivat e luftës së UÇK-së, të cilat i cilëson si të pandryshuara ndër breza.
“Kjo ka vetëm një arsye, duan t’i baltosin objektivat e UÇK-së, të cilat ishin të njëjta ndër breza, liria dhe pavarësia e Kosovës, as më pak e as më shumë. Liri kjo që u arrit me shumë mund, gjak dhe shumë jetë të humbura”, ka theksuar Krasniqi.


















