Një raund i ri negociatash për përfundimin e luftës në Ukrainë ka nisur të martën në Abu Dhabi, ku për herë të parë nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara po zhvillohet një takim i drejtpërdrejtë trepalësh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.

Bisedimet vijnë në kohën kur administrata amerikane po përpiqet të intensifikojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa procesi përbën edhe një test të rëndësishëm për diplomacinë e presidentit amerikan, Donald Trump, pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në të cilat partia e tij humbi shumicën në Kongres.

Takimi në Abu Dhabi udhëhiqet nga të dërguarit specialë të Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Në negociata janë përfshirë delegacione të nivelit të lartë nga të dyja vendet, ndërsa përfaqësuesit evropianë po zhvillojnë konsultime të ndara jashtë takimeve kryesore.

Delegacioni ukrainas udhëhiqet nga Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov, figura të rëndësishme të sektorit të sigurisë dhe inteligjencës, ndërsa David Arakhamia merr pjesë si përfaqësues politik.

Në anën ruse, delegacioni udhëhiqet nga diplomatët Yuri Ushakov dhe Vladimir Medinski. Pjesë e tij janë gjithashtu zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, si dhe zyrtarë të tjerë nga strukturat e sigurisë dhe inteligjencës.

SHBA-ja synon marrëveshje më të gjerë, përtej përfundimit të luftës

Qëllimi kryesor i Washingtonit në këto negociata është afrimi i qëndrimeve të Kievit dhe Moskës për të krijuar një bazë të mundshme marrëveshjeje, e cila në fund do të duhej të miratohej nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, synimet amerikane duket se shkojnë përtej arritjes së një armëpushimi apo përfundimit të luftës. Administrata Trump po shqyrton një marrëveshje më të gjerë, e cila do të përfshinte edhe rishikimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë.

Washingtoni po përcjell mesazhin se sistemi aktual i sigurisë evropiane nuk po funksionon, qëndrim me të cilin pajtohet edhe Moska. Por, deri më tani, dallimet mes Kievit dhe vendeve evropiane në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër kanë mbetur të thella.

Sipas informacioneve të bëra publike, Witkoff dhe Kushner kanë paraqitur disa propozime, disa prej të cilave janë diskutuar prej kohësh.

Një prej çështjeve kryesore lidhet me garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të modeloheshin sipas NATO-s. Synimi i Washingtonit është që Kievi të marrë garanci mjaftueshëm të forta për sigurinë e tij, por njëkohësisht të pranueshme edhe për Moskën. Kjo do të shoqërohej me investime për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Propozimi për Donbasin: Ndryshimi i kufijve administrativë

Një nga çështjet më të ndjeshme në negociata mbetet ajo territoriale. Sipas raportimeve të The Economist, negociatorët amerikanë po shqyrtojnë një propozim të pazakontë që parasheh ndryshimin formal të kufijve administrativë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk.

Ideja është që kufijtë e Donbasit në dokumente të ngushtohen dhe të përshtaten me territorin që aktualisht kontrollohet nga ushtria ruse.

Përmes këtij propozimi, presidenti rus, Vladimir Putin, do të mund t’i deklaronte publikut të tij se Rusia e ka “çliruar të gjithë Donbasin” dhe se e ka përmbushur objektivin e luftës.

Në të njëjtën kohë, Ukraina do të ruante qytetet dhe zonat e fortifikuara që aktualisht i kontrollon, përfshirë Slovyanskun dhe Kramatorskun, pa u detyruar të dorëzojë territoret që po mbron.

Një tjetër pjesë e propozimit amerikan lidhet me heqjen e sanksioneve ndaj sektorit energjetik rus. Megjithatë, parashihet edhe një mekanizëm për rivendosjen e tyre në rast të shkeljes së armëpushimit.

Në diskutim është gjithashtu ringjallja e Këshillit NATO-Rusi, i cili u pezullua pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Cilat janë vijat e kuqe të Ukrainës?

Kievi hyn në negociata me disa kushte që i konsideron thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje. Presidenti Volodymyr Zelensky ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e dorëzimit të territoreve në këmbim të garancive të sigurisë, nëse këto të fundit nuk përcaktohen paraprakisht.

Ukraina ka deklaruar publikisht se kërkon garanci të sigurisë përmes anëtarësimit në NATO dhe jo një marrëveshje që vetëm do t’i “ngjante” kësaj aleance.

Në Kiev dhe në disa kryeqytete evropiane ekziston shqetësimi se, pa garanci të forta të sigurisë, Rusia mund ta shfrytëzojë një marrëveshje paqeje si periudhë përgatitore për një sulm të ri ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, burime amerikane pretendojnë se pala ukrainase ka shfaqur gatishmëri për kompromis gjatë bisedimeve private. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar dhe rrjedhjet e tilla të informacionit mund të interpretohen edhe si përpjekje për të ushtruar presion ndaj delegacionit ukrainas.

Si pikënisje për negociatat, delegacioni ukrainas po e sheh mundësinë e arritjes së një armëpushimi në sektorin energjetik dhe atë detar. Kjo do të synonte krijimin e kushteve për vazhdimin e bisedimeve në raunde të tjera.

Rusia kërkon ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë

Moska synon që negociatat të mos kufizohen vetëm në përfundimin e luftës në Ukrainë, por të shërbejnë edhe për riformatimin e marrëdhënieve të sigurisë në Evropë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe zyrtarë të tjerë të Kremlinit kanë theksuar se zgjidhja e konfliktit duhet të jetë pjesë e një diskutimi më të gjerë për një arkitekturë të re të sigurisë, e cila, sipas tyre, duhet t’i marrë parasysh edhe interesat e Rusisë.

Sa i përket kushteve për Ukrainën, Moska vazhdon të kërkojë tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi dhe heqjen dorë të Kievit nga synimi për anëtarësim në NATO. Rusia kërkon që ky qëndrim të përfshihet edhe në Kushtetutën e Ukrainës.

Ashtu siç është raportuar për qëndrimin e Kievit në bisedimet e mbyllura, edhe mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët rusë po tregojnë njëfarë fleksibiliteti dhe një “dëshirë të sinqertë” për t’i dhënë fund luftës.

Përbërja e zgjeruar e delegacionit rus në Abu Dhabi po shihet si një tregues i rëndësisë që Moska i kushton këtij procesi.

Evropa merr pjesë në konsultime të ndara

Roli i Evropës në këto negociata mbetet një nga çështjet më problematike. Vendet evropiane përballen me ndarje të brendshme, shqetësime për margjinalizimin e tyre në proces dhe mungesë të kanaleve të drejtpërdrejta të negociimit me Moskën.

Brukseli zyrtar, i udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, është përfshirë në procesin e Abu Dhabit përmes një nisme të veçantë.

Megjithatë, përfaqësuesit evropianë nuk janë pjesë e takimeve kryesore trepalëshe, por po zhvillojnë konsultime të ndara, për shkak të kundërshtimit rus.

Në Evropë ekziston frika se Washingtoni mund të bëjë lëshime ndaj kërkesave të Moskës për dobësimin e NATO-s ose ta shtyjë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme për paqe.

Nga ana tjetër, disa liderë evropianë, përfshirë presidentin e Finlandës dhe kryeministrin e Norvegjisë, kanë bërë thirrje për rikthimin e kontakteve të drejtpërdrejta me Kremlinin. Sipas tyre, është iluzion të pritet përfundimi i luftës pa dialog me Moskën.

A pritet marrëveshje përfundimtare?

Pavarësisht pritjeve për përparim në negociatat për përfundimin e luftës, në Abu Dhabi nuk pritet që gjatë këtyre ditëve të nënshkruhet një marrëveshje përfundimtare paqeje apo armëpushimi.

Synimi kryesor i këtij raundi është qartësimi i qëndrimeve të palëve, identifikimi i pikave ku dallimet mbeten më të mëdha dhe ruajtja e dinamikës diplomatike.

Negociatat pritet të përqendrohen në dy çështje kryesore: garancitë e sigurisë dhe të ardhmen e arkitekturës evropiane të sigurisë, si dhe çështjet territoriale që mbeten ndër pengesat më të mëdha për një marrëveshje.

Ecuria e procesit do të varet në masë të madhe nga aftësia e Witkoff dhe Kushner për t’i afruar qëndrimet e Kievit dhe Moskës dhe për të krijuar bazën për vazhdimin e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Pas këtij takimi pritet të njoftohet edhe një takim për armët bërthamore në Pekin, i paraparë për javën e ardhshme, ku pritet të takohen presidentët e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ndonëse ky takim do të ketë një agjendë më të gjerë se çështja e Ukrainës, përfshirja e Kinës mund të luajë rol të rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare të luftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts